E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dade: Islami e ka ngritur karrierën duke sulmuar kolegët

Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, shpreh keqardhjen për lëvizjen e deputetëve të LMN-së

TIRANË- Ashpërsohet qëndrimi zyrtar i selisë rozë ndaj deputetëve të ashtuquajtur si Lëvizja për Mendim Ndryshe.

Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, ka deklaruar dje gjatë një interviste televizive se deputetët e kësaj lëvizje po flasin me gjuhën e kryeministrit Sali Berisha.

Gjatë deklaratës së saj, Dade iu referua edhe takimeve të fundit, që deputetët, Kastriot Islami, Ben Blushi dhe Andis Harasani zhvilluan në Bruksel. "Ata kanë zgjedhur këtë rrugë. Flasin me gjuhën e Sali Berishës. Flasin me praktikat dhe hipotezat e Jozefina Topallit.

Derisa pranon të jetë në delegacionin që emëron zonja Topalli do të thotë që ka miratuar këtë akt që zonja Topalli ka bërë. Pavarësisht se nuk ka bërë betimin emri ishte në delegacionin e Këshillit të Europës.

Zoti Islami vërtet s'ka vajtur, por praktikisht nuk është shprehur për këtë fyerje që zonja Topalli i ka bërë personalisht zotit Islami duke e përfshirë në delegacion", - tha Dade. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë hodhi hije dyshimi edhe mbi karrierën politike të këtyre deputetëve, veçanërisht, Kastriot Islamit.

"Është për të ardhur keq që janë gjithmonë të njëjtët emra që vazhdimisht kanë krijuar këto probleme. Kjo nuk do të thotë se ata janë më demokratë se sa ne, që respektojmë vendimet politike.

Unë personalisht nuk i përkas asnjë grupimi dhe nuk kam qenë asnjëherë shumë pranë liderëve. Kanë qenë të tjerët ata që janë inkurajuar në politikë vetëm pse i kanë shërbyer liderëve. Zoti Harasani është hera e parë që takon ndonjë nga përfaqësuesit atje...

Sigurisht një ish- ministër të jashtëm, Europa ka kaq etikë dhe për kortezi edhe mund ta takojë, por ama vetë ky ish- ministër i jashtëm nuk mund të abuzojë me postet, që gjithkush e di se si i ka mbajtur dhe si i ka marrë... duke sulmuar kolegët gjithmonë edhe duke folur në të gjitha ambasadat. Kjo është e qartë", - tha Dade.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›