"Moratoriumi", përjashtohen varkat me vela dhe skuterat
Deputetët e PD-së sjellin dy amendime për moratoriumin e skafeve. Kërkojnë të përjashtohen anijet me vela dhe motorët e ujit
TIRANË - Hobi i vetë deputetëve të djathtë për të zotëruar dhe lundruar gjatë pushimeve me motorë uji ka bërë që projektligji anti-skaf të rikthehet për diskutim në komisionet parlamentare.
Megjithëse një javë më parë ky draft mbylli fazën e diskutimit në komisione, mazhoranca e djathtë është detyruar që në kundërshtim edhe me rregulloren ta risjellë atë edhe një herë për shqyrtim tek "Siguria", e cila ka marrë në shqyrtim dy amendamente të cilat do t'i paraqiten për miratim seancën plenare dhe që në thelb kanë lejimin e lundrimit në ujerat detar dhe liqenore të motorëve sportiv ujorë dhe varkave me vela.
Amendamentet
Komisioni, pavarësisht se kishte mbyllur diskutimin dhe miratimin edhe nen për nen të moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Shqipërisë, e ka rimarrë dje për rishqyrtim.
Shkak janë bërë dy amendamente të ardhura në këtë komision, njëri në mënyrë shkresore nga Ministria e Kulturës dhe tjetri i shprehur në mënyrë verbale nga deputetët e djathtë një javë më parë.
Kështu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me një letër drejtuar këtij komisioni kërkonte që në listën e mjeteve që lejohen të lundrojnë të shtohen edhe varkat apo anijet me vela që përdoren për qëllime sportive.
Sipas këtij amendamenti, propozohet që në neni 3 të këtij drafti ku bëhet fjalë për mjetet që lejohen të lundrojnë të shtohet edhe pika "d" me këtë përmbajtje "Mjetet lundruese me vela që shërbejnë për ushtrimin e sporteve ujore nga organizata jofitimprurëse të njohura sipas ligjit numër 9376 datë 21.04. 2005 "Për sportin" i ndryshuar".
Ndërkohë që duke përfituar nga rasti i rihapjes së këtij debati, deputetët e djathtë anëtarë të këtij komisioni kanë kërkuar që kësaj liste ti shtohen edhe motorët sportiv ujor.
Por duke iu përmbajtur rregullave që përcakton Rregullorja e Kuvendit, ata kanë vendosur që këto dy ndryshime që propozohen për këtë projektligj ti paraqesin si amendime gjatë diskutimit dhe miratimit në seancën plenare.
"Meqenëse ka ardhur një amendim nga Ministria e Kulturës për varkat me vela, atëherë bashkë me të, të paraqitet edhe një amendament me emrin e një deputeti ku të lejohen edhe këta motorë", - u shpreh kryetari i grupit demokrat, Astrit Patozi, i cili merr pjesë në punimet e këtij komisioni si zëvendësues për shkak të realizimit të kuorumit të duhur.
Në këtë mënyrë përfaqësuesit e mazhorancës realizojnë një nevojë të tyren personale për këto lloj mjetesh ujore të shprehur edhe gjatë diskutimit të këtij projektligji një javë më parë, ku disa prej tyre deklaruan se zotëronin edhe personalisht motorë uji.
Projektligji
Pas një aplikimi për katër vitet e shkuara qeveria ka sjellë në Kuvend një projektligj të ri për ripërsëritjen e efekteve të moratoriumit të mjeteve motorike lundruese, i njohur ndryshe edhe si ligji i skafeve.
Kështu ky draft parashikon që të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga funksioni i përdorimit të mjetit, si dhe transporti i mjeteve lundruese në rrugë tokësore pezullohen. Pezullimi përfshin edhe mjetet motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore.
Përjashtim bëjnë vetëm mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portuale, ato të destinuara vetëm për peshkim, të transportit detar, që shërbejnë për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.
Në këtë listë propozohet që të shtohen edhe motorët sportiv, çka ka sjellë dhe pakënaqësi tek deputetët e djathtë, të cilët tashmë propozojnë që këto lloj mjetesh të mos jenë objekt i këtij projektligji.
Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe kundërvajtësi dënohet me gjobë në masën 800 000 - 1 000 000 lekë dhe me konfiskim të mjetit.