E Diel, 1 Nëntor 2026

Dade: Kryeministri i Ruzhdies duhet ta kuptojë që nuk dorëzohemi Nga TemaDeputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade tha se kriza po rëndohet për shkak të shpërfilljes që po i bën mazhoranca vullnetit të opozitës. “Partia Socialiste përshëndet vlerës

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dade: Kryeministri i Ruzhdies duhet ta kuptojë që nuk dorëzohemi Nga Tema

Deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade tha se kriza po rëndohet për shkak të shpërfilljes që po i bën mazhoranca vullnetit të opozitës.

“Partia Socialiste përshëndet vlerësimin që i bëri Ambasadori i Spanjës dhe njëkohësisht Ambasadori i vendit që mban Presidencën e radhës së BE, pranisë së opozitës në Parlament dhe nismave ligjore të propozuara prej saj.

Ne jemi po ashtu plotësisht dakord me thirrjen e zotit Montobio për klasën politike shqiptare, se është ky akt konstruktiv i ndërmarrë nga Partia Socialiste që hap një dritare shprese për arritjen e një marrëveshjeje dhe se zgjidha e krizës duhet të bazohet pikërisht tek nismat ligjore të propozuara nga Partia Socialiste.

Fatkeqësisht, duket se mazhoranca ka vendosur të shpërfillë krejtësisht vullnetin pozitiv të Partisë Socialiste, por edhe thirrjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë për një zgjidhje sa më të shpejtë të kësaj krize që po rëndohet më tej çdo ditë që kalon,” tha Dade.

Deputetja socialiste tha se socialistët nuk do heqin dorë nga kërkesa e tyre.

“Por, Kryeministri i Ruzhdies gabon rëndë nëse mendon se kjo krizë do të zgjidhet vetiu.

Kriza politike është ulur këmbëkryq në Shqipëri dhe kjo krizë nuk mund e nuk do të zgjidhet nëse nuk plotësohet kërkesa e Partisë Socialiste për një hetim të plotë e të hollësishëm të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Partia Socialiste e ka ofruar tashmë kompromisin e saj dhe vullnetin e saj konstruktiv, së pari duke njohur rezultatin e dalë nga skema e Ruzhdies, dhe së dyti, duke dorëzuar në Parlament nismën ligjore për zgjidhjen përfundimtare të kësaj krize politike përmes transparencës së zgjedhjeve.

Vullneti i Partisë Socialiste për transparencën e plotë zgjedhjeve dhe hapjen e kutive as nuk do të tretet e as nuk do të bjerrjet përballë kokëfortësisë së Kryeministrit të Ruzhdies.

Përkundrazi, e vërteta tronditëse që po del tashmë në dritë mbi kutinë e Ruzhdies, që Sali Berisha aq shumë e ka për zemër, vetëm sa e shton vendosmërinë tonë për t’i qëndruar kauzës sonë të drejt.

Sali Berisha duhet ta kuptojë se Partia Socialiste nuk do të heq dorë nga kjo kauzë sepse prej saj varet fati i demokracisë në Shqipëri.

Sali Berisha duhet ta kuptojë se Partia Socialiste nuk mund të heq dorë nga kjo kauzë sepse në këtë rast skema e Ruzhdies do të kthehej në mallkimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend.

Nga ana tjetër ne e kuptojmë shumë mirë frikën e Sali Berishës nga hapja e kutive, por kjo frikë nuk mund të shërbej si një argument që Parta Socialiste të heq dorë nga kauza e saj,” tha Dade.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›