E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daily Star Kumbaro na kushtoi 100 mije paund

E përditshmja britanike “Daily Star”, në një artikull të ditës së dielë zbuloi faturën ekonomike që Kumbaro i ka kushtuar shtetit britanik, ndërsa hipotetizoi se Ilir Kumbaro tashmë mund të ndodhet në Kinë.

Një javë pasi i shpëtoi gjyqit të ekstradimit për në Shqipëri, ku drejtësia e kërkon për akuzat e torturës gjatë kohës së shërbimit të tij si agjent i SHIK-ut,  gazeta citon “burime të mirëinformuara”, ndërsa informon se Kumbaro ka përdorur pasaportën e tij britanike për të udhëtuar në Kinë disa herë më parë dhe tashmë dyshohet se ndodhet atje i fshehur.

Në artikull, “Daily Star” tregohet shumë kritike me autoritetet britanike, që “nuk verifikuan prejardhjen e Ilir Kumbaros, i cili u fut në Britani si shtetasi kosovar Shaqa Shatri, që vinte për të shpëtuar nga lufta në Kosovë, ku i kishin vrarë gruan dhe djalin. Më pas, pikërisht me gruan dhe djalin e vrarë ai bënte një jetesë luksoze në Londër, falë të ardhurave që i derdhte shteti për paaftësinë fizike dhe mendore që kishte pësuar nga “trauma”. Fatura e tij mund të llogaritet në mbi 100 mijë paund dëm ndaj taksapaguesve britanikë, gjatë kohës së qëndrimit në Angli”.

Ilir Kumbaro fitoi një betejë të mëparshme ndaj shtetit shqiptar kundër ekstradimit, për shkak të dokumentacionit të parregullt, por autoritetet tona riparaqitën dosjen në Britani, ku u fiksua një seancë gjyqësore për të përcaktuar se çfarë do të bëhej me kërkesën e ekstradimit.

Në seancën e fiksuar në fillim të dhjetorit, 56-vjeçari nuk u paraqit dhe që prej atëherë është shpallur në kërkim nga policia, pasi askush nuk e di se ku ndodhet. Kumbaro kërkohet për pengmarrje dhe torturë nga shteti shqiptar. Besohet se është çelësi për zbardhjen e misterit të Remzi Hoxhës, shqiptaro-maqedonasit që figuron i zhdukur që prej vitit 1995, pasi u mor në pyetje nga Shërbimi Informativ Kombëtar (sot SHISH).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›