E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama promovon Kurbanin ne Sarande

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, vazhdoi turin promovues të librit të tij “Kurban” në qytetin e Sarandës.  

Në një takim me drejtues vendorë dhe qytetarë, Rama përsëriti traditën e tij të firmosjes së librit për lexuesit, ndërsa përfitoi nga rasti për të kritikuar publikisht punën e qeverisë dhe ndryshimin e projektit të tij të sheshit të Tiranës.

“Në këtë libër, kam shprehur Shqipërinë ashtu si e shoh dhe ashtu siç mund të bëhet. Në këtë libër flitet edhe për qytetin e Sarandës”, u shpreh Rama.

“Ajo që bashkon Sarandën me Shqipërinë është fakti që në asnjërën prej tyre nuk ka shtet. Drejtësia është dorëzuar përpara etheve për para. Veprimtaria pa leje është pjesë e një vizioni obskurantist, vision që ndajnë ata që udhëhëqin vendin. Tirana është i vetmi kryeqytet në botë, që kishte një shesh dhe e prishi për të ndërtuar një kodër”.

Në mesazhin e tij politik, Rama nuk kurseu ironinë as për Kryeministrin Berisha, që e ka përbuzur librin publikisht duke thënë se nuk do ta lexonte kurrë. “Saliu është për të ardhur keq. Ju siguroj unë që ai e ka lexuar i pari librin”, përfundoi kreu i socialistëve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›