Dajti, Ministria e Brendshme fajëson policinë
Krerët e GOS bëhen "kurbani" i parë sepse "ministri, zv/ministri dhe zyrtarët e lartë nuk ishin informuar për Dajtin"
Dajti, Ministria e Brendshme fajëson policinë
TIRANË- Ministria e Brendshme bën "kurban" krerët e operacionit për arrestimin e Dajtit duke akuzuar drejtuesit e njësisë së operacioneve speciale se kanë neglizhuar operacionin e arrestimit të shumë kërkuarit Dritan Dajti. Madje ministria nuk ka ngurruar që të shtojë se as ministri e as zv/ministri (dy postet politike) nuk kanë pasur asnjë dijeni për ngjarjen. "Plani operacional për vëzhgimin dhe arrestimin e Dritan Dajtit është kryer nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme nuk kanë pas dijeni për këtë plan operacional, pasi vetë struktura e funksionimit të Repartit të Operacioneve Speciale (ROS-i) është e tillë, të kryejnë detyrën në fshehtësi të plotë dhe pa dijeninë e shumë personave",- thanë dje zyrtarët e ministrisë.
Sipas tyre, drejtuesit e këtij plani operacional kanë neglizhuar masat e sigurisë së efektivëve gjatë ndërhyrjes për arrestimin e Dritan Dajtit. Kjo neglizhencë ka ardhur, nga mos pasja e një rasti tjetër, kur personi i kërkuar gjatë operacionit për arrestimin e tij të reagonte në atë mënyrë. "Është kërkuar informacion nga strukturat e Policisë së Shtetit për mënyrën e përgatitjes së planit operacional të vëzhgimit dhe më pas ndërhyrje për arrestimin e Dritan Dajtit. Pas marrjes së këtyre informacioneve, Ministria e Brendshme do të kryejë një analizë të hollësishme të ngjarjes ku dhe do të nxjerrë përgjegjësitë e kësaj neglizhence në operacionin e 7 gushtit 2009 në plazhin e Durrësit",-thuhet nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme.
Gjithashtu, këto burime saktësuan se "nga hetimet e kryera paraprakisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm (SHKB), ka rezultuar se operacioni për arrestimin e Dajtit nuk është dekonspiruar. Por, drejtuesit e këtij plani operacional janë treguar neglizhencë në marrjen e masave përkatëse të një operacioni të mirëfilltë. Ata nuk kanë urdhëruar efektivët e tyre të vishen me anti-plumb gjatë operacionit, nuk kanë siguruar perimetrin e zonës ku do të kryhej operacioni i arrestimit, nuk kanë marrë masa për evakuimin e banorëve dhe krijimin kushteve të sigurisë fizike të tyre dhe as të agjentëve që morën pjesë në operacion",-thanë zyrtarët e ministrisë. Për të gjitha këto problemet e hasura, zyrtarët e Ministrisë së Brendshme konfirmuan, se do të merren masa për drejtuesit e këtij operacioni.
Hetuesit pohuan se gjatë këtyre ditëve kanë krahasuar dëshmitë e 16 agjentëve që kanë marrë pjesë në operacion dhe ato përputhen me njëra-tjetrën. "Dëshmia e 16 efektivëve të policisë që kanë marrë pjesë direkt në operacionin e vëzhgimit dhe arrestimit të shtetasit Dritan Dajti përputhen me njëra-tjetrën dhe nuk ka kontradikta në rrëfimet e tyre. Të gjithë ata konfirmojnë nisjen e këtij operacioni që katër ditë para se të kryhet ndërhyrja, me vëzhgimin e tij që nga dita e hënë dhe vendimin e ditës së premte, ku është vendosur të ndërhyhet për arrestimin e Dritan Dajtit",- thuhet nga burimet pranë institucionit të akuzës. Sipas tyre, nga dëshmia e agjentëve është rindërtuar edhe skena e vrasjes së katër efektivëve të policisë, njërit nga shoqëruesit e të shumë kërkuarit, plagosjen e një kalimtari të rastit si dhe plagosjen me tre plumba që ka pësuar në arrestimin e Dritan Dajtit.
Prokuroria: RENEA dhe FNSH-ja nuk ishin lajmëruar për operacionin
TIRANË- Zyrtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda konfirmuan se për operacionin e arrestimit të të shumë kërkuarit Dritan Dajti, drejtuesit e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që drejtonin operacionin e arrestimit, nuk kanë lajmëruar forcat speciale të RENEA-së dhe FNSH-së. Ky mos lajmërim, ka detyruar zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme që të kërkojnë informacion të hollësishëm nga drejtuesit e Policisë, konkretisht të operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit për shkakun e mos lajmërimit të forcave speciale.
Sipas zyrtarëve të organit të akuzës, saktësohet se në planin operacional dhe nga pyetja e drejtuesve të këtij operacioni është konfirmuar mos lajmërimi i forcave speciale të RENEA-së dhe FNSH-së për të kryer operacionin. Ndërkohë, edhe pse kanë kaluar 15 ditë nga masakra e Durrësit, ku i shumë kërkuari Dritan Dajti i priti me armë agjentët e policisë që donin ta arrestonin, asnjë zyrtar i Policisë së Shtetit nuk shpjegon arsyen e mos përfshirjes së RENEA-së në këtë operacion. Të pyetur për këtë mos përfshirje të RENEA-së, agjentët dhe drejtuesit e operacionit të arrestimit të Dajtij, janë shprehur para prokurorisë se "nuk e prisnim që ai t'i përgjigjet me zjarr thirrjes për tu dorëzuar".