Bode: Kemi kaluar pasojat e krizës
Ministri: Kemi ende paratë e privatizimit të kompanive strategjike, do përdoren për investimet publike
TIRANË- Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se buxheti i shtetit ka të ardhura të qëndrueshme për vazhdimin e investimeve edhe gjatë periudhës së mbetur të vitit dhe se vendi nuk rrezikohet nga kriza ekonomike globale. Edhe pse qeveria ka bërë shpenzime marramendëse për fushatë, të ardhurat nga privatizimet e shumta kanë mbajtur arkën e shtetit.
"Ecuria është pozitive si në aspektin e të ardhurave buxhetore ashtu edhe në përshpejtimin e shpenzimeve publike, i cili u përzgjodh nga ana e qeverisë sipas miratimit që iu bë ligjit për buxhetin e vitit 2009 si një instrument i rolit aktiv të financave publike ndaj impaktit të ekonomisë botërore që mund të bëhej në periudhën e krizës së thellë ekonomike", - tha ai.
Duke kundërshtuar zërat sipas të cilëve qeveria kishte zbrazur arkën e shtetit për shpenzime elektorale, kreu i Financave ka theksuar se buxheti i shtetit është i mbrojtur nga rezervat financiare që qeveria i ka siguruar atë përmes privatizimeve strategjike. "Ne kemi ne dispozicion të buxhetit të vitit 2009 për t'u përdorur rreth 90 milionë euro të privatizimit të kompanisë ARMO pasi nuk i përdorëm dhe i lamë për këtë vit, kemi të ardhurat nga privatizimi i OSSH-së, rreth 102 milionë euro dhe kemi të ardhurat nga privatizimi i aksioneve të AMC-së, rreth 48 milionë euro.
Të gjitha këto fonde do të përdoren për financimin e investimeve publike dhe për uljen e borxhit",- tha ai.
Për sa i përket rishikimit të buxhetit që pritet të bëhet në fillim të muajit shtator, kreu i Financave tha se ai nuk bëhet për shkak të mungesës së parave dhe për të ulur investimet publike por me qëllim rialokimin e fondeve pasi dihet që prokurimet publike të parealizuara nuk kanë një ecuri të mirë në fund të vitit. "Qëllimi është që të rialokohen të gjitha ato investime që ende nuk janë përpunuar dhe fondet e lira duke mundësuar rritjen e investimeve publike, pasi rishikimi i buxhetit do të thotë rritje të investimeve publike"- tha ai.