Dalai Lama zotohet se nuk do të jetë udhëheqësi i fundit i budizmit tibetian: Do kem pasardhës

Udhëheqësi shpirtëror në mërgim i Tibetit ka konfirmuar këtë të mërkurë (2 korrik) se institucioni 600-vjeçar i udhëheqësit shpirtëror tibetian do të vijojë edhe pas vdekjes së tij dhe se ai do të ketë një pasardhës.
Ai tha se vetëm Gaden Phodrang Trust, të cilin ai e themeloi, kishte autoritetin për të njohur rimishërimin e tij të ardhshëm – “askush tjetër nuk ka ndonjë autoritet të tillë për të ndërhyrë”.
Është një vendim historik për tibetianët, shumë prej të cilëve kishin frikë nga një e ardhme pa një udhëheqës, si dhe për mbështetësit globalë që e shohin Dalai Lamën si një simbol të kundër dhunës, dhembshurisë dhe luftës së vazhdueshme për identitetin kulturor tibetian nën sundimin kinez. Sipas tibetianëve, Tenzin Gyatso është rimishërimi i 14-të i Dalai Lamës.
Ai e bëri njoftimin e shumëpritur në qytetin verior indian të Dharamshalës, ku jeton në mërgim që nga viti 1959 kur Kina aneksoi Tibetin.
Ai bëri me dije se gjatë 14 viteve të fundit ka marrë kërkesa nga diaspora tibetiane në mërgim, budistët nga e gjithë rajoni i Himalajeve, Mongolia dhe pjesë të Rusisë dhe Kinës, “duke kërkuar me ngulm që institucioni i Dalai Lamës të vazhdojë”.
“Në veçanti, kam marrë mesazhe përmes kanaleve të ndryshme nga tibetianët në Tibet që bëjnë të njëjtën thirrje. Në përputhje me të gjitha këto kërkesa, po konfirmoj se institucioni i Dalai Lamës do të vazhdojë”, tha ai në një video të transmetuar në fillim të një takimi të udhëheqësve fetarë në qytetin indian të Himalajeve ku ai ka jetuar për dekada të tëra.
Mosha e tij kishte ngjallur gjithashtu shqetësime për të ardhmen e udhëheqjes tibetiane dhe çështjen delikate të trashëgimisë së tij. Njoftimi u bë përpara ditëlindjes së tij të 90-të më 6 korrik.
Ndërsa Kina e dënon atë si rebel dhe separatist, Dalai Lama i njohur ndërkombëtarisht e përshkruan veten si një “murg të thjeshtë budist”.
Shumë tibetianë në mërgim kanë frikë se Kina do të emërojë pasardhësin e saj për të forcuar kontrollin mbi një territor ku dërgoi trupa në vitin 1950.
Por Dalai Lama tha se përgjegjësia për identifikimin e Dalai Lamës së 15-të “do të mbetet ekskluzivisht” e Gaden Phodrang Trust me seli në Indi, zyra e Dalai Lamës.
“Me anë të kësaj, përsëris se Gaden Phodrang Trust ka autoritetin e vetëm për të njohur rimishërimin e ardhshëm; askush tjetër nuk ka ndonjë autoritet të tillë për të ndërhyrë në këtë çështje”, shtoi ai.
/rtsh.al/