Dalin të pastra edhe 32 pistoleta të Gardës

Momenti i vrasjes së Ziver Veizit para Kryeministrisë
TIRANE Përfundon ekspertiza për 32 pistoleta të sekuestruara nga Prokuroria pranë Gardës së Republikës, në kuadër të hetimeve për vrasjen e katër personave në demonstratën e 21 janarit. Pak ditë më parë, Laboratori Qendror Kriminalistik ka dorëzuar në Prokurori konkluzionet përkatëse të ekspertimit të 32 pistoletave të sekuestruara në magazinën e Gardës së Republikës. Sipas përgjigjes së mbërritur në Prokurori nga Laboratori Kriminalistik Shkencor, ka rezultuar se 32 pistoletat nuk janë armë më të cilat është shkaktuar vrasja apo plagosja e personave në demonstratën e 21 janarit. Burime zyrtare nga Prokuroria e Tiranës thanë dje se 32 armët janë krahasuar me predhën e gjetur në trupin e shtetasit Faik Myrtaj. Pistoletat janë krahasuar edhe me një numër të madh gëzhojash të gjetura në vendin e ngjarjes. Sipas ekzaminimeve shkencore, predha që vrau Faik Myrtajn nuk ka dalë nga asnjëra prej 32 pistoletave. Ndërkohë, nga kjo predhë janë përjashtuar edhe 72 automatikë të shkurtër, model turk MP5 që ishin marrë më parë në Gardën e Republikës për ekspertim. Armët në fjalë nuk janë krahasuar me predhën e gjetur në trupin e Ziver Veizit, pasi plumbi që i mori jetën këtij qytetari është përputhur me automatikun 9-milimetërsh që mbante në shërbim gardisti Agim Llupo më 21 janar, efektiv tashmë i arrestuar me akuzën e vrasjes. Ndërkohë, predha e viktimës tjetër, Aleks Nika, është mbajtur në një spital në Turqi, ku ai u kurua për mëse një javë në gjendje kome, para se të gjente vdekjen. Nuk ka ende konfirmime për mbërritjen e kësaj predhe nga Turqia, ndonëse Prokuroria e ka kërkuar atë për ekspertim. Për viktimën e katërt, shtetasin Hekuran Deda, nuk është realizuar asnjë ekspertizë apo krahasim me armët e Gardës, pasi predha që i mori jetën atij nuk është gjetur. Plaga ka qenë tejshpuese, pasi predha ka hyrë dhe ka dalë në trupin e viktimës dhe më pas ka humbur. Hetuesit nuk kanë arritur ta gjejnë atë dhe ta dërgojnë për krahasimin e vjaskave të tytës së armës që mund të përcaktonin edhe autorësinë e ngjarjes.