Dalipi: Vendimmarrjen këtu? Do ta shohim pas 23 qershorit
Kreu i anëtarëve të PS-së rikujton bllokimin e buxhetit të Tiranës në kohën e Ramës
Pavarësisht deklaratës së Shezai Rrokajt dhe garancisë që ka dhënë kreu i LSI-së në parlamentin vendor lidhur me vendimmarrjen dhe përkrahjen e vendimeve për qytetin e Tiranës, Aldrin Dalipi, kreu i këshilltarëve të PS-së, ka bërë i pari deklaratën lidhur me fatin e Këshillit Bashkiak pas datës 23 qershor.
Dalipi u ka sjellë anëtarëve të mazhorancës, por edhe kreut të bashkisë e nënkryetares Jorida Tabaku, se në kohën kur në krye të bashkisë qëndronte Edi Rama, Këshilli Bashkiak u bllokua për shkak të politizimit, dhe e gjithë puna e qytetit u pezullua për këto kapriçio politike.
Situata e risjellë në vëmendje në mbledhjen e djeshme, i ka paralajmëruar ndryshime mazhorancës së Këshillit Bashkiak, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Ne nuk e kemi bllokuar punën e qytetit, kemi miratuar vendime dhe jemi treguar bashkëpunues, por ju sjell në vëmendje situatën që u krijua këtu në këtë këshill, dhe mungesën e vullnetit politik për të miratuar buxhetin e bashkisë pak kohë më parë. Vendimmarrja në këtë këshill do të ndryshojë pas 23 qershorit, por ne do të tregojmë se jemi ndryshe nga ju, se nuk e bllokojmë punën dhe nuk bëhemi pengesë për qytetin e Tiranës, ka deklaruar Dalipi, duke paralajmëruar kështu ndryshime në Këshillin Bashkiak, në favor të opozitës aktuale dhe në disfavor të mazhorancës aktuale. Pas miratimit prej 7 milionë eurosh që qeveria e Katarit ka dhuruar për financimin e projektit për zgjatimin e bulevardit të madh Dëshmorët e Kombit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, Këshilli Bashkiak vijoi me diskutime për programin ekonomik dhe punësimin.
Këshilltarët u përfshinë në diskutime për procedurat për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë, e cila do të lëvrojë fondin prej 1 milion eurosh, nga i cili do të përfitojnë të gjithë të rinjtë deri në 35 vjeç që duan të hapin një biznes.
Nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, deklaroi se vetëm në 4 vitet e fundit të qeverisjes së PD-së janë hapur 8200 vende pune. Tabaku theksoi se banka fituese do të jetë ajo që ofron normën më të ulët të interesit. Lorina Mixha
Dalipi: Vendimmarrjen këtu? Do ta shohim pas 23 qershorit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email