Dalja në opozitë nuk është amnisti
Druri i shtrembër në stivën e demokracisë
Nga Rama nuk pritet të lartësojë stivën e demokracisë sepse ajo do kohë dhe shokë shumë. Mjaft të heqë drunë e shtrembër dhe rilindja do ketë duk. Ndonëse vota e qershorit ishte votë shprese dhe proteste me rotacionin kronik të paralajmëruar, sërish mazhoranca e re premtoi ndryshime radikale dhe të shpejta në çdo fushë. Një kurajo që duhet respektuar kur mendon se rrezikon ti krijojë andralla të panevojshme vetes përballë një opozite që në avazin e saj, veç sebepe kërkon për të bërë akuzuesin e shmangur vëmendjen nga abuzimi i djeshëm i saj.
Opozita e PD do ngrejë pusi për çdo premtim elektoral, me përjashtim të njërit të cilin nuk ka gjasa ta zërë as me gojë, pale më ta bëjë tërkuzë – hetimi i abuzimit të djeshëm elitar. Një kryepremtim ky që ngjiti fort pas 8 vitesh autokraci dhe degradimi flagrant të së drejtës së jetës, pronës, votës, interesit kombëtar etj.
Vota e qershorit ishte votë për drejtësi ndaj abuzimit pa dallim, qoftë ky i djeshëm apo i sotëm, blu apo rozë, elitar apo urban. Pavarësisht nga qasja (kapja direkt e peshkut të madh apo përmes të voglit), nëse kjo qeveri mendon të bëjë drejtësi, duhet ta bëjë sa më shpejt sa kohë që zullumqarët janë ende në panik dhe presioni klientelist apo fatura e ecurisë së premtimeve, nuk ia lidhin duart edhe asaj. Një precedent ky që promovon si parandalimin ashtu dhe ndëshkimin e abuzimit brenda radhëve të saj. Se në mos e bëftë vetë, do ja bëjnë të tjerët më pas.
Pandora e abuzimit elitar
Sfida është epokale, një luftë brenda llojit ku ndryshe nga rasti Di Pietro në Itali kur sistemi i korrupsionit u çmontua nga jashtë prej drejtësisë së pavarur, tek ne shpresa për shtet vjen prej politikës së re tek i kundërvihet asaj të tranzicionit që e vrau atë. Një mision në dukje i pamundur teksa:
a) Ironikisht legjislacioni antiabuzim është hartuar nga klasa politike e korruptuar e tranzicionit;
b) Drejtësia perceptohet e korruptuar dhe e nënshtruar ndaj politikës;
c) Abuzimi elitar ka evoluar në abuzim kapilar ku sofra e çorbës së prishur është zgjeruar dhe çarja e rrethit është sfidë më vete me thënien gurin e parë kush nuk ka mëkatuar më aktuale se kurrë;
d) Shoqëria është mpirë në ndjeshmërinë ndaj abuzimit elitar dhe reagimi, në rastin më të mirë, është i ndrojtur, i vonuar dhe i filtruar politikisht (tradicionalisht revolton abuzimi i palës tjetër por tolerohen të vetët);
e) Shumëkush është dorëzuar ndaj korrupsionit (dora që nuk nduket, puthet) dhe bashkëjeton rëndom me të, bile përfiton prej tij në një simbiozë ku mbizotëron ndroja se të luftosh sëmundjen (abuzimin) është njëlloj si ta vrasësh të sëmurin (jetesën e përditshme);
f) Beteja ndaj abuzimit elitar futet në hullinë e persekutimit politik dhe fakti që lidershipi opozitar konfirmoi vijimësinë, mbështetur nga treçerek milion votues, edhe pas politikave antidemokratike e antikombëtare (marrëveshja e ujrave, varrezat në jug etj), bën që beteja ndaj abuzimit të djeshëm të rrezikojë kosto të spekulimit e tensionimit politik;
g) Abuzimi në tranzicion nuk ka njohur barriera partiake dhe teston kohezionin e çdo qeverisje që e denoncon atë për shkak të virusit të abuzimit të endur kaq gjatë (vetë fushatat elektorale marramendëse ngrenë pikëpyetje rreth klientelizmit potencial etj);
h) Retorika perëndimore ka dekurajuar direkt apo indirekt betejën ndaj abuzimit elitar- ndërmjetësimet alla krokodil, partnershipi me qeveritë e korruptuara edhe pas abuzimeve elektorale, tolerimi i shpërdorimit politik të solemnitetit të NATO apo avancimit të integrimit në BE, solidarizimet e njëanshme politike (të djathtë e të majtë në PE) sa herë ngrihen akuza për korrupsion etj. Fqinjët tanë në BE, me probleme akute të abuzimit elitar, janë partnerë të privilegjuar të klasës politike të tranzicionit, deri modele drejt BE(!) sikurse prania e të huajve në privatizimet strategjike jo transparente apo skemat klienteliste të abuzimit në tranzicion, imunizon indirekt ndëshkimin dhe protagonistët e tij;
i) Sindroma çmë duhet mua dominon teksa tundimi për të përfituar shumë e shpejt është i madh dhe dilet pa u lagur sipas qasjes korbi korbit nuk ia nxjerr sytë. Kësisoj, sfida e kalimit të detit në këmbë e të panjohurat e hapjes së kutisë së Pandorës së abuzimit, imponojnë si lidership unik ashtu dhe një ekip kompakt në kohezion vlerash që ngjizin Perëndim.
I fundit që qesh
Me performancën antikorrupsion, mazhoranca e re nuk riskon thjesht fatin e saj politik. Ajo është shansi i fundit për partitë e tranzicionit që të mos skadojnë si demokristianët e Andreotit apo socialistët e Kraksit dikur. Shoqëria nuk mund të degradojë në korrupsion gjenetik duke djegur tashmë brezin e radhës dhe nëse beteja presupozon riformatim të tregut politik, ashtu qoftë.
Vota e qershorit ishte votë për të hapur kutinë e Pandorës. Prej abuzimit të votës, privatizimet klienteliste, anarkia me pronën, tragjedinë e Gërdecit, vrasjet e 21 janarit, faturat infrastrukturore, marrëveshja e ujërave, vorioepirizimi në jug, koncesionet klienteliste etj. Ndërsa ndëshkimi i abuzimit është atribut i gjyqësorit, qeveria duhet të bëjë të sajën si në ekspozimin e fakteve (psh. finalizimi i aksionit Hapni kutitë duke deklasifikuar materialet arkivore të zgjedhjeve 2009), diskreditimin e abuzuesve ashtu dhe promovimin e iniciativës së të tretëve (individ apo ente) të cenuar padrejtësisht.
Mazhoranca ka në dorë të konsolidojë legjislacionin antikorrupsion e të hetojë në rrugë parlamentare një seri problematikash me prioritet ato ku implikohet interesi kombëtar për të sfumuar çdo shpërdorim të militantizmit partiak në emër të politikës. Paralelisht, ajo duhet të drejtojë kamerat edhe nga vetja (përpara se vetë opozita dhe media ta bëjnë këtë gjë), sikurse duhet të sensibilizojë perëndimin zyrtar duke huazuar prej tij metrin origjinal demokratik në hetimin e abuzimit elitar.
Sfida ndaj abuzimit elitar e kësaj qeverie është thyerja e akullit dhe zbritja e perëndive në tokë duke nxjerrë faktet në shesh. Damkosjen tia lërë publikut dhe drejtësia të lihet e lirë më pas. Edhe nëse kjo e fundit nuk arrin të zhbëjë koston e abuzimit elitar, i jep shansin historisë të shkruhet objektivisht, ndryshe i fundit që qesh më mirë, është ai që abuzon. Thyerja e tabusë së abuzimit mbetet kusht për rilindje dhe e vërteta, bileta e vetme për të bërë histori. Si e tillë, nuk ka çmim.
