Dalja nga puna e punonjësve të KURUM, Balluku: Çështje sociale në fokus të qeverisë

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur sot se dalja nga puna e punonjësve të KURUM është një çështje sociale të cilën qeveria e ka në fokus dhe për të cilën do të ketë një komunikim në ditët në vijim.
Në deklaratën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë, Balluku deklaroi se kompania ka argumentuar pak ditë më parë pranë bashkisë së Elbasanit se ka vështirësi financiare.
“Jemi duke analizuar situatën. Ka pasur njoftim të KURUM disa ditë më parë pranë bashkisë së Elbasanit për vështirësi sa i përket operimit. Nuk është hera e parë që qeveria ka konflikte me kompaninë, që janë ndjekur edhe juridikisht. Vetëm pak ditë më parë kemi pasur edhe fitoren e një gjyqi në Arbitrazh, pikërisht për koncesionin në Portin e Durrësit dhe shkeljet që KURUM ka bërë në këtë koncesion kur ishte përgjegjës”, deklaroi Balluku.
Zv/kryeministrja bëri të ditur se qeveria do të vijojë të monitorojë situatën.
“KURUM do të jetë i detyruar të japë shpjegimet e duhura. Është një çështje sociale dhe tejkalon çështjet tregtare që ka në marrëveshjet me bashkinë e Elbasanit apo ministrinë pasi flitet për territorin e Metalurgjikut”, deklaroi Balluku.
Sipas saj, nëse KURUM shpall paaftësi financiare, kontrata do të rishikohet.
“Duhet të shikojmë zyrtarisht se kush është kërkesa e KURUM. Kjo kompani është edhe prodhues i energjisë elektrike nga 4 HEC-e të marra në shkëmbim të TVSH-së në kohën e PD”, u shpreh Balluku.