E Enjte, 5 Nëntor 2026

Mbetjet toksike, Bardhi: Do përdorim mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e çështjes

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se “prej kohësh Porti i Durrësit është shndërruar në një han pa porta, që nuk kontrollohet nga autoritetet shtetërore por nga krimi i organizuar”.

Bardhi reagoi sot pas deklaratës së zv/kryeministres Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me çështjen e mbetjeve toksike.

“Porti i Durrësit, sipas Ballukut, nuk ka asnjë përgjegjësi se çfarë hyn dhe çfarë del prej tij. Sipas Qeverisë kushdo me një vetëdeklarim, fut dhe nxjerr nga Porti i Durrësit çfarë të dëshirojë. Me pak fjalë, me vetëdeklarim kokaina mund të shënohet si miell; helmi mund të shënohet si bimë kurative; makina mund të shënohet si biçikletë; paratë e pista mund të shënohen si letra higjenike”, tha Bardhi.

Sipas tij, “afera e trafikut ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme toksike nuk mund të realizohet kurrë pa mbështetjen, mosveprimin apo symbylljen e autoriteteve shtetërore”.

“Edhe përgjegjësia, mosveprimi apo shkelja e ligjit nga entet private nënkupton mosveprim dhe mungesë mbikëqyrje nga autoritetet shtetërore që kanë lejuar abuzimin e privatit”, tha Bardhi.

Bardhi bëri të ditur se grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të përdor të gjitha mekanizmat e kontrollit parlamentar për zbardhjen e plotë të kësaj çështje, duke siguruar qytetarët shqiptarë se nuk do të lejojë në asnjë rast, që Shqipëria të jetë në një rrezik permanent për shkak të sasive të konsiderueshme të mbetjeve të rrezikshme brenda territorit shqiptar./m.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›