Danimarka fiton në Eurosong 2013

Në Malmo të Suedisë sonte u zhvillua finalja e ngjarjes më të madhe të këngës evropiane, Eurosong 2013.
Pas dy mbrëmjeve gjysmëfinale që u mbajtën më 14 dhe 16 maj, 26 shtete finaliste garuan për fitore, që i takoi Emmelie De Forest nga Danimarka, me këngën "Only Teardrops".
Vendi i dytë i takoi Azerbajxhanit, ndërsa i treti Ukrainës.
Natën e parë dhe të dytë të festivalit ishin përzgjedhur nga 10 vende finaliste, ku iu bashkuan “pesëshja e madhe’’ dhe shteti fitues, Suedia.
Me ndryshimin e mënyrës së votimit, shumë parashikime të publikut kishin dështuar dhe nuk arritën në finale. Mes tyre edhe shumica e vendeve ballkanike, përfshirë edhe Shqipërinë.
Kënga “Identitet” nga Adrian Lulgjuraj dhe Bledar Sejko, u skualifikua në gjysmëfinalen e dytë. /Indeksonline/