Darka private në Pejë

“Darka private” në krahasim me veprat e tjera të Peter Shaffer, ritmikisht ka një rrjedhë tjetër ku dinamika është më pak e rregullt, por ku kthesat dramatike plot befasi mbajnë publikun në skaj të ulëseve.
Bobi apo Çajku (siç e thërret shoku i tij më i mirë) ka ftuar për darkë një vajzë me emrin Dorin, të cilën e ka njoftuar rastësisht në një koncert të muzikës klasike. Ai gjithashtu ka ftuar edhe shokun e tij Tedin, sepse Tedi është qejfli festash, i zoti me femrat, me vetëbesim, që t’i mësojë atij se si të sillet para një femre. Me një fjalë, ana tjetër e medaljes me Çajkun. Fatkeqësisht, Tedi është më i lezetshëm në dallim prej Çajkut që është shumë i mbyllur dhe i ndrojtur dhe na del se vajza Dorin ndërron drejtimin e interesave nga i pari tek i dyti.
Vija dramatike e veprës shkon paralel me botën e brendshme të karaktereve, ndërsa dialogu është njëri nga më të mirët në dramaturgjinë moderne. E thurur mjeshtërisht me dramatiken dhe komiken, laramania e kësaj vepre vjen natyrshëm tek shikuesi dhe krijon një natë shkuarje në teatër për t’u mbajtur në mend.