E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brazili është gati

Brazili është gati për Kampionatin botëror 2014 dhe optimist për organizimin e suksesshëm edhe të Lojërave Olimpike 2016 në Rio de Janeiro. Zëvendësministri i Sportit, Luis Fernandes, ka pranuar se Londra ngriti barrierën edhe më lart, por pret që superfuqia e Amerikës së Jugut të organizojë ngjarje të nivelit të njëjtë.

Organizimi i Olimpiadës dy vite pas Kampionatit botëror në futboll është pa dyshim se sfidë e madhe, por suksesi i Londrës 2012 ka ngritur barrierën edhe më lart, ka thënë zëvendësministri i Sportit në Brazil, Luis Fernandes.

Pas Londrës e gjithë vëmendja do të shkojë te superfuqia e Amerikës së Jugut, që do të jetë nikoqir i Lojërave më 2016. Fernandes, i cili përcolli ceremoninë e mbylljes së Paralimpiadës të dielën, parashikoi se krenaria kombëtare do të sigurojë se Olimpiada në Rio de Janeiro do të jetë po aq e suksesshme sa Londra.

“Mendoj se i ka bërë gjërat më sfiduese sepse Londra ka ngritur lart barrierën”, tha Fernandes për Reuters. “Shkalla e paraqitjeve që pritet nga ne tani është më e lartë se kurrë. Por, në anën tjetër, suksesi i Londrës i ka bërë Lojërat edhe më joshëse për investuesit privatë dhe ka shtuar vullnetin e mirë rreth Olimpiadës”, shtoi ai.

Fernandes tha se krahasimet mes dy Olimpiadave do të ishin të padrejta, por beson se organizimi i dy ngjarjeve prej më të mëdhave botërore brenda dy viteve mund të udhëheqë Brazilin përpara.

“Ka dallim të madh mes organizimit të Olimpiadës në një qytet si Londra nga një si Rio. Ne jemi shtet në zhvillim, kurse Britania është një prej vendeve më të pasura në botë dhe infrastruktura atje është gati paraprakisht. Olimpiada dhe Kampionati botëror janë mundësi e mirë për shtimin e investimeve në infrastrukturën bazike, që është vendimtare për zhvillimin e mëtutjeshëm. Ekziston një plan ambicioz që mund ta shndërrojë Rion në një qytet krejt tjetër nga ai që ishte para Lojërave”, theksoi ai.

Rreth 100 anëtarë të Komitetit Organizativ të Olimpiadës 2016 në Brazil përcollën nga afërsia ngjarjen në Londër, e që nga Fernandes u përshkrua si përvojë e vlefshme.

“Ishte një Olimpiadë shumë mirë e organizuar dhe gjithçka funksionoi mirë pa probleme të mëdha. Çelësi ishte në gjetjen e zgjidhjeve në probleme të caktuara që mund të shfaqen papritmas, andaj ata nuk ndjenë asnjë lloj krize”, vazhdoi ai.

Fernandes beson se organizimi i Kampionatit botëror dy vite para Olimpiadës mund të jetë përfitues, sidomos për entuziazmin e publikut.

“Shumë prej iniciativave do të kenë rrugë më të qartë. Për shembull, transporti dhe siguria. Ne kishim probleme me Lojërat Panamerikane, por kemi mësuar prej tyre dhe morëm përgjegjësinë. Organizimi i Botërorit dhe Olimpiadës është arsye për t’u ndjerë krenar i gjithë shteti”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›