E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dashuria e rreme për Amerikën!

kimete berishaNga Kimete Berisha

Amerika, për vete, nuk i fal krimet ndaj qytetarëve të saj, për hir të paqes dhe pajtimit me Rusinë.

Amerika, nuk e harron të kaluarën.

Amerika nuk e fal gjakun e qytetarëve të saj amerikanë, gjakun e vëllezërve Bytyçi, të vrarë barbarisht nga shteti serb.

Ai që e këshillon qeverinë e Kosovës që të falë krimet serbe dhe të harrojë të kaluarën- nuk është amerikan. Është serb.

Dashuria e qeverisë së Kosovës për Amerikën është këngë me sharki.

Është dashuri e rreme, sipërfaqësore, është një përrallë pa legjendë.

Amerika e di që ti nuk e merr për model.

Ti kurrë s’mund ta mashtrosh një amerikan.

Sikur qeveria e Kosovës të ishte pro-amerikane, do ta merrte për model Amerikën.

Ditë e natë do të kërkonte vrasësit e popullit shqiptar. Qeveria e Kosovës e krijon paqen me Serbinë, me gjakun e fëmijëve të vrarë.

Qe, këqyre Amerikën qysh nuk fal krimet serbe. Sot e ka gjetur edhe një dëshmitar serb për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Kush i vrau fëmijët dhe gratë e familjes Jashari?

Agjentët shqiptarë të Millosheviqit (të rehabilituar nëpër Institucionet e Kosovës), këtyre ditëve janë angazhuar që të thonë se Adem Jashari i vrau fëmijët e vetë.

Ku ti kish falë Amerika këta bashkëpunëtorë të Serbisë, fansa të kriminelit Mehmet Dajaku, i cili, ecte rrugës me gërshërë në dorë në kërkim të djemve të rinj shqiptarë me flokë të gjata. Kur i hetonte këta bukuroshë, çoroditej deri në atë nivel sa që i rrihte midis rrugës derisa ua thyente eshtrat, dhe pasi që i shtrinte përtokë të përgjakur, u hynte gërshërë si deleve, ua qethte flokët midis rrugës, atyre të rinjve që adhuronin modelin e flokëve të John Lennon. Për t’ua qethë flokët, i vinin në ndihmë policët serbë.

Nuk është lehtë me qenë amerikan.

Hajt provo bëhu njëherë njeri, bëhu amerikan.

Nisja, gjej vrasësit e fëmijëve shqiptarë.

Dil, kërkoje vrasësin tënd.

Mos fal.

Vepro si amerikan.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›