E Diel, 1 Nëntor 2026

Papa Françesku: “Të rinjtë janë ardhmëria, të mos krijojmë një brezni të papunësh”

23-07-2013 / Gazeta 55

Nis Dita Botërore e Rinisë në Rio De Zhanejro

Gjatë fluturimit drejt Rios, Papa përshëndeti grupin shoqërues dhe gazetarët një për një, duke u kujtuar se në këtë shtegtim të parë ndërkombëtar dëshiron të shkojë e t’i takojë të rinjtë në konkretësinë e indit shoqëror, ku jetojnë. Pra, jo të rinj të izoluar nga jeta e tyre, sepse kur i izolojmë të rinjtë, tha Papa, bëjmë një padrejtësi të madhe. Të rinjtë i përkasin një familjeje, një atdheu, një kulture, një feje, kanë përkatësi, nuk duhet t’i izolojmë. Ata me të vërtetë janë ardhmëria e një populli. Pastaj Papa nuk i harroi edhe pleqtë. Jemi mësuar, pohoi, me kulturën e mënjanimit, që rëndon më shumë mbi të moshuarit. E kjo është krejtësisht e padrejtë, sepse i lëmë mënjanë, si të mos kishin më asgjë për të dhënë. Ndërsa ata transmetojnë urtinë dhe vlerat e një jete të tërë, dashurinë për atdheun, për familjen: të gjitha, gjëra për të cilat kemi shumë nevojë. Por tani u takon edhe të rinjve të mënjanohen, të përjashtohen. Kriza botërore, pohoi Ati i Shenjtë, i dënon të rinjtë e sotëm! Përqindjet e të papunëve janë të larta e krijohet rreziku të kemi një brezni të papunë, ndërsa pikërisht nga puna buron dinjiteti. Duhet t’i japim fund zakonit të përjashtimit të njerëzve, shtoi Papa, e të promovojmë kulturën e përfshirjes, të takimit, të përpjekjes për t’i çuar të gjithë në shoqëri. Një popull ka të ardhme, shtoi, nëse shkon përpara me forcën e të rinjve e urtinë e pleqve. Më pas ftesa drejtuar gazetarëve: ju kërkoj të më ndihmoni të punoj për të mirën e shoqërisë, të të rinjve e të të moshuarve. Sepse edhe pleqtë janë ardhmëria e një populli. Një popull ka të ardhme, nëse shkon përpara me të dyja palët: me të rinjtë e edhe me pleqtë. E ky është edhe kuptimi, që dua t’i jap kësaj vizite me të rinjtë.
Si lindi Dita Botërore e Rinisë/Dita Botërore e Rinisë lindi pas dy takimeve të të Lumit Gjon Pali II me të rinjtë, në Sheshin e Shën Pjetrit. Takimi i parë ishte ai i 1984-s, me rastin e Jubileut të jashtëzakonshëm të Shëlbimit. I dyti, më 1985, gjatë Vitit Ndërkombëtar të Rinisë, shpallur nga OKB-ja. Një vit më pas, me “Letrën e Papës drejtuar të rinjve”, u themelua Dita Botëore e Rinisë. Që asokohe Dita organizohet një vit si kremtim dioqezan lokal e vitin tjetër, si takim i madh ndërkombëtar me Papën. Kremtimi lokal organizohet të Dielën e Larit. Dioqeza e Romës e kremton në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e Papës, e, me këtë rast, u dorëzohet edhe Kryqi i drunjtë të rinjve, që do ta mikpresin një vit më pas takimin ndërkombëtar. E kështu, çdo dy vjet në fillim, e pastaj çdo tre vjet, të rinjtë katolikë të mbarë botës mblidhen rreth Papës në një takim ndërkombëtar. Njëkohësisht me takimin ndërkombëtar, organizohet edhe Forumi i të rinjve, në të cilin marrin pjesë delegatë përfaqësues të dioqezave, të lëvizjeve e të shoqatave rinore. Rezultatet, pastaj, i paraqiten Papës, në kremtimin përfundimtar të DBR-së. Në përfundim të kremtimit të Ditës Botërore, Papa njofton zakonisht vendin dhe datën e takimit të ardhshëm ndërkombëtar.
Dom Mark Shtjefni: “12 të rinjtë shqiptarë në Rio sjellin thesarin e traditës sonë kombëtare”/ “Shkoni e bëni dishepuj të mi të gjithë popujt”: kjo është tema e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë që mbahet këtë javë në Rio de Zhanejro të Brazilit. Nga Shqipëria, 12 të rinj shqiptarë marrin pjesë në DBR-së. Në Rio de Zhanjero këta të rinj, siç tha Papa Françesku gjatë bisedës me gazetarët gjatë fluturimit me avion – përfaqësojnë vlerat e “familjes, të atdheut, të kulturës, të fesë” së tyre. “Ata vërtetë janë e ardhmja e një popullit”. Këta rinjtë nga të gjitha kontinentet ,Papa Françesku është nisur për t’i takuar “me plot me gëzim”, siç shkroi në një tweet pak para nisjes për në Rio.
Pra, së basku me Atin e Shenjtë Bergoglio dhe me qindra mijëra të rinjtë nga mbarë bota, në Rio, grupi i 12 të rinjve shqiptarë, përfaqëson të gjitha dioqezat katolike të Shqipërisë, përfaqëson thesarin e çmuar të Vendit e të Kishës martire shqiptare. Të udhëhequr nga prifti dom Mark Shtjefni, të rinjtë shqiptarë janë nisur plot entuziazëm për të marrë pjesë në këtë ngjarje botërore kishtare. Ata, siç pohon në mikrofonin e Radio Vatikanit, dom Marku, janë të vetëdijshëm se në këtë ngjarje botërore kanë si mision të dëshmojnë e të shpalosin edhe traditën e çmuar kombëtare e shpirtërore të Vendlindjes.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›