Dasmorët bllokojnë rrugën në Unazë të Madhe, policia procedon shoferët, shpall në kërkim 4 persona

Dy shtetas janë proceduar penalisht dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi penguan qarkullimin në Unazë të Madhe, sipas policisë, këta persona kishin ndaluar automjetet e tyre të destinuara për ceremoni martesore.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim edhe 4 persona, drejtues automjetesh të përfshirë në këtë rast.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, si rezultat i administrimit të disa pamjeve filmike të publikuara më datë 24.08.2025, në të cilat shfaqeshin disa automjete të dekoruara për ceremoni martesore, të ndaluara në Unazë të Madhe, të cilat kishin penguar qarkullimin në këtë aks, kanë mundësuar identifikimin e disa prej shtetasve të implikuar në këtë paligjshmëri.
Konkretisht, u identifikuan 3 shtetas, E. D., 36 vjeç dhe D. M., 22 vjeçe, për të cilët nisi procedimi penal në gjendje të lirë, dhe Xh. A., 28 vjeç, i cili u shpall në kërkim. Punohet për kapjen e tij.
Më tej, vijojnë verifikimet dhe kontrollet, për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të 4 shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast, si dhe për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve të përdorura”, njofton policia.
Shoferët akuzohen për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.