Shuhet babai i kinematografisë, Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare

Është shuar në moshën 89-vjeçare regjisori, skenaristi dhe “Nderi i Kombit” Dhimitër Anagnosti, një nga figurat më të ndritura të artit shqiptar, njeriu që i dha zë dhe shpirt ekranit shqiptar për dekada me radhë.
Lajmin e hidhur e konfirmoi vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një mesazhi prekës në rrjetet sociale.
Lindur më 23 janar 1936 në fshatin Vuno të Vlorës, Dhimitër Anagnosti do të rritej për t’u bërë një ndër themelet e kinemasë shqiptare. Gjithçka nisi në vitin 1961, ku realizoi filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, vepra e parë e një rrugëtimi që do të shndërrohej në histori arti.
Dhimitër Anagnosti nuk bëri thjesht filma. Ai krijoi karaktere dhe momente që do mbeten në kujtesë edhe pas vdekjes së tij. Me një ndjeshmëri të rrallë dhe një mjeshtëri të rrallë narrative, ai solli disa prej filmave më të dashur për publikun shqiptar, si: “Komisari i dritës”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Në shtëpinë tonë”, “Përrallë nga e kaluara” etj.
Përtej kamerës, Anagnosti ishte edhe një zë i ndërgjegjes kulturore. Në vitet 1991–1996 u përfshi në jetën publike si deputet i Kuvendit dhe shërbeu si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Gjatë karrierës së tij, Dhimitër Anagnosti u nderua me titulljt “Artist i Popullit”, “Nderi i Kombit” si dhe shumë çmime ndërkombëtare për regji dhe skenar
Ditën e nesërme në Tiranë pritet të mbahen homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit një figure që e nderoi Shqipërinë brenda dhe jashtë saj.
Ndërsa nuk kanë munguar dhe reagimet e para pas ndarjes nga jeta të artistit. Kryeministri Edi Rama e cilëson Anagnostin si babain e kinematografisë shqiptare, ndërsa kujton se si e ka njohur regjisorin e madh.
Edhe Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllimet e tij duke shkruar se shqiptarët do të vijojnë të admirojnë punën e vyer të Anagnostit ndërsa nga radhët e njerëzve të shquar, u shkëput një yll.