Datat e mundshme për zgjedhjet në Kosovë

PRISHTINË, 29 prill /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tani ka pak më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të tretat radhazi brenda rreth një vitit e gjysmë.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Por, kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.
Cilat janë data e mundshme për ditën e zgjedhjeve?
Janë vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor, sipas Melos Kolshit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Për shkak se presidenti nuk u zgjodh brenda afatit prej 34 ditësh që Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur në një aktgjykim në mars, Kuvendi u shpërnda automatikisht më 28 prill, shpjegon Kolshi për Radion Evropa e Lirë (REL).
Shpërndarja e Kuvendit, sipas tij, nënkupton nisjen e menjëhershme të procesit drejt zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.
“Në këtë mënyrë, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, krijohet një rend i detyrueshëm veprimesh: së pari, shpërndarja automatike e Kuvendit si pasojë kushtetuese; së dyti, aktivizimi i kompetencës së ushtrueses së detyrës së presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve; dhe së treti, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thotë Kolshi për REL-in.
Si caktohet data e zgjedhjeve?
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duhet tani t’i ftojë partitë politike në takim për të biseduar për datën e parapëlqyer për mbajtën e zgjedhjeve.
Këtë herë, ato do ta kenë më të lehtë të zgjedhin, sepse kanë vetëm dy opsione: 31 majin, ose 7 qershorin.
/REL/