E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daul Trishtim nese Shqiperia nuk merr statusin

Në një intervistë për ABC news, kryetari i grupimit ë partive popullore europiane Joseph Daul  deklaron, se të gjithë do të jenë të trishtuar nëse Shqipëria e humb statusin për shkak të mosplotësimit të tre kritereve. Daul nënvizon, se Brukseli nuk mund të detyrojë palët në Shqipëri të kryejnë reformat, pasi anëtarësimi në BE nuk bëhet me detyrim, por shqiptarët nuk duhet të ankohen pastaj se Bashkimi Europian e ka neglizhuar Shqipërinë.
Për Daul, nëse në nivelin politik ka bllokadë për 3 kushtet, atëherë le të shprehet populli.

Në vijim intervista e plotë e eurodeputetit Joseph Daul dhënë gazetares Erisa Zykaj
Pyetje: Ju keni dëgjuar deklaratën e komisionerit Stefan Füle dhe keqardhjen e shprehur nëse Shqipëria e humb statusin e vendit të kandidatit për shkak të mosplotësimit të tre kushteve. A e ndani këtë qëndrim ?

Joseph Daul: “Siç e tha dhe komisioneri Füle, ne do jemi të gjithë të trishtuar nëse Shqipëria nuk e merr statusin e kandidatit, që në fakt Shqipëria e meriton, pasi vendi ka bërë reforma shumë të mëdha. Nëse ky status dështon për mosplotësimin e tre kushteve, është vërtet për të ardhur keq dhe është kohë e humbur për Shqipërinë”

Pyetje: A i mbështet grupimi i djathtë që ju kryesoni në Parlamentin Europian vendimet për Ballkanin që priten të merren në qershor ?

Joseph Daul: “Ne jemi të gatshëm nëse mund të ndihmojmë. Shqipëria është një dosje e vështirë, për të cilën kam kontribuar jo pak. Por tani i takon Shqipërisë që të marrë përgjegjësitë e saj. Ne nuk mund të detyrojmë njerëzit të bëjnë reforma. Nëse nuk duan të anëtarësohen, është e drejta e tyre, por pastaj mos të ketë ankesa që Bashkimi Europian ka neglizhuar Shqipërinë, apo që nuk e ka mbajtur fjalën. Sepse siç e shihni shumë qartë, Serbia dhe vendet e tjera janë duke bërë përpjekje shumë të mëdha. Shpresoj që politikanët në Shqipëri të kuptojnë rëndësinë e aprovimit të këtyre 3 kushteve dhe ti bëjën ato shpejt”

Pyetje: Në fakt, kohët e fundit është hedhur një ide për t’ia nënshtruar aprovimin e këtyre 3 ligjeve një referendumi ? C’mendoni për këtë?

Joseph Daul: “Nëse s’ka zgjidhje tjetër, duhet kërkuar mendimi i popullit. Kjo është demokracia. Nëse në nivelin politik ka bllokadë, atëherë referendumi duket si zgjidhje e mirë, por me kusht që të ketë një pjesëmarrje të mjaftueshme”.

Pyetje: Politika në Shqipëri është përqëndruar te zgjedhjet dhe zgjedhjet janë një nga arsyet e tensionit.

Joseph Daul: “Zonjë, ne jemi mësuar me zgjedhje. Ka zgjedhje në 27 shtetet anëtare dhe ka zgjedhje kudo në botë. Zgjedhjet janë një proçes normal për çdo vend dhe qytatarët e tij. Ne do kemi zgjedhje në Itali, Bullgari, Gjermani. Zgjedhjet janë normale. Ka muaj që zhvillohen zgjedhje në dy tre vende anëare. Por kjo nuk duhet të pengojë proçesin e reformave”.

Pyetje: A mendoni se këtë rradhë të dyja forcat politike do të njohin rezultatin e zgjedhjeve ?

Joseph Daul: “Shpresoj që rezultati do pranohet nga të dyja palët, sepse në demokraci është e rëndë të mos njohësh rezultatin e votës së qytetarëve të tu”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›