E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biasi guxon, Shqipëria me dy sulmues

Kuqezinjtë priten të zbresin sot në fushën e lojës në "Qemal Stafa" kundër Norvegjisë me skemën 4-4-1-1. Tekniku italian Gianni De Biasi duket se do guxojë, duke parë forcën e kundërshtarit, teksa do hedhë në fushën e lojës një skuadër që në pamje të parë duket shumë sulmuese. Megjithatë, rreshtimi që ai do të bëjë, është sa sulmues aq edhe mbrojtës, pasi do të sulmohet me forca të shumta, por në të njëjtën kohë skuadra do të mbrohet po me shumë lojtarë.

Kështu, mbrojtja do të ketë detyrë statike. Mavraj dhe Teli kanë detyrë të qëndrojnë në vendet e tyre pa lëvizur, duke qenë mjaft të kujdesshëm në rastet e kundërsulmit të miqve, sepse Dallku dhe Agolli do të përpiqen që herë-herë të shtyjnë drejt sulmit në anësore. Dy shkatërruesit Basha dhe Bulku, në mungesë të një organizatori të mirëfilltë, do të kryejnë dy detyra: të shkatërruesit dhe të ndërtuesit. Vajushi dhe Rama do të bëjnë "pistonin".

Nga çka është parë gjatë seancave stërvitore mesfushorët kanë detyra të qarta, ku herë do të kordinojnë me mesfushorët e qendrës dhe herë me Salihin dhe Çanin, i cili do të luajë pak më i tërhequr. Ky i fundit do të kryejë rolin e mesfushorit në momentet kur topi do jetë në këmbët e kundërshtarit, ndërsa Salihi do të jetë në maj të sulmit dhe detyra e tij është ta dërgojë topin në rrjetë, sikurse bëri në Oslo, ku shënoi një eurogol./Indeksonline/ 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›