E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi: Na duhet zemër, Kameruni i fortë fizikisht

TIRANE - Kombëtarja shqiptare ka mbërritur dje në Gjenevë, ku nesër në mbrëmje do të luhet miqësorja e luksit ndaj Kamerunit. Ekipi kuqezi gjen në tokën zviceriane një pritje të ngrohtë, nga mijëra tifozë shqiptarë që jetojnë në këtë vend. Ndeshja ndaj Kamerunit është e fundit për Shqipërinë për vitin 2012, ndërsa trajneri Xhani De Biazi do të kërkojë ta mbyllë me një rezultat pozitiv, duke tentuar të provojë edhe disa futbollistë të rinj. Ndeshja është një miqësore luksi për Shqipërinë, ndaj një skuadre të mbushur me yje që luajnë në kampionatet më të forta të Evropës. "Ua kemi borxh një ndeshje tifozëve shqiptarë, të cilët në sfidën me Zvicrën na bënë që të ndjeheshim si në shtëpi", u shpreh trajneri Xhani De Biazi në prag të kësaj sfide. Tekniku italian ka thirrur shumë lojtarë të rinj për këtë takim, duke mbajtur një premtim të dhënë pak kohë më parë, se do të rinovojë përfaqësuesen. Sfida ka një vlerë të madhe edhe për shkak të faktit se luhet ndaj një emri shumë të njohur dhe kjo kuptohej lehtë nga interesimi i shumë mediave të huaja.
De Biazi
Duke folur pas mbërritjes në Zvicër, trajneri i kombëtares shqiptare Xhani De Biazi deklaroi se ndeshja ndaj Kamerunit është tejet e vështirë, sidomos duke parë anën fizike të dy skuadrave. "Luanët e Afrikës" mbeten një ekip shumë i fortë në këtë prizëm, ndërsa shumë lojtarë shqiptarë nuk vijnë nga gjendja e tyre më e mirë. "Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, pasi Kameruni është skuadër shumë e fortë fizikisht dhe për më tepër, nuk i mungojnë as yjet, siç janë Eto apo Song, - deklaroi Xhani De Biazi. - Duhet të hyjmë në fushë me kurajë dhe me besim se mund të marrim maksimumin. Nuk kam ndërmend të bëj eksperimente të mëdha, ndonëse qëllimi në ndeshje të tilla është aktivizimi i lojtarëve të rinj. Disa prej tyre në fakt do të luajnë, por nuk do të ketë ndryshime radikale. Kapllani? Nuk e thirra, sepse në këtë ndeshje dua të shoh tre të rinj të talentuar, si Bala, Vajushi dhe Telushi", u shpreh më tej trajneri i kombëtares.
Kameruni
Në Gjenevë ka mbërritur dhe Kameruni i Samuel Eto, që do të kërkojë të bëjë një kthesë pas disfatës me Kepin e Gjelbër në eliminatoret e Kupës së Kombeve të Afrikës. Trajneri Zhan Pol Akono ka humbur dy lojtarë të rëndësishëm për këtë takim, mbrojtësin e Rostovit në Rusi Angbëa dhe mesfushorin e Barcelonës Aleks Song, të dy të dëmtuar. Song vuan nga një problem në shpinë dhe ka qëndruar në Katalonjë, ku do t'u nënshtrohet analizave të tjera. Miqësorja ndaj Shqipërisë konsiderohet një test shumë i rëndësishëm nga trajneri Akono, përpara sfidës me Kenian më 6 shkurt. Ndeshja mund të kthehet edhe në një "bumerang" për teknikun, pasi në rast se do të mungojë fitorja, shkarkimi i tij do të jetë i sigurt. Drejtuesit e Federatës së Kamerunit kanë shprehur rezerva të shumta për grumbullimet e bëra nga Akono, që shpesh ka lënë jashtë shumë lojtarë të talentuar.

(er.nu/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›