Sanchezit nuk ia do

Alexis Sanchez nuk po ‘ndezë’ te Barcelona. Së paku me atë që ka shfaqur deri më tani prej transferimit te gjiganti katalan nga Udinese në verën e vitit të kaluar, ylli kilian vazhdon të jetë larg nga parashikimet që përcollën ardhjen e tij në Nou Camp.
E përditshmja sportive spanjolle Marca ka njoftuar të martën se vështirësitë për Sanchezin nuk vlejnë vetëm për periudhën e fundit kur ai përveç që nuk ka arritur të realizojë gol, nuk bind se meriton të jetë titullar në ekipin e Tito Vilanovës. Problemet për adaptimin e tij te Barcelona thuhet se filluan pothuajse nga dita e parë që erdhi në klub.
“Nga seanca e parë e Sanchezit kur erdhi te Barcelona, dëshmitarët tregojnë se gjithçka shkoi keq. Stërvitjet taktike, ushtrimet, madje edhe shpejtësia me të cilën lëvizte topi ishte e papërballueshme për kilianin. Gjithçka ishte e re për të dhe ai vuante në çdo aspekt”, shkruan Marca.
Kurse deklarata e tij e parë pas ardhjes në klub ishte pak sa tepër ambicioze: “Dua të bëhem futbollisti më i mirë në botë”. Sanchez është duke kaluar një periudhë të vështirë, në sezonin e tij të dytë në klub. Ai e nisi edicionin si titullar por dalë ngadalë vendin e tij është duke e zënë i rikthyeri nga lëndimi, David Villa.
Arsyeja është e thjeshtë, sulmuesit duhet të shënojnë dhe atë që nuk po bënë Sanchez është duke e realizuar spanjolli. Sanchez deri më tani ka shënuar vetëm një gol, në Lisbon kundër Benficas në Ligën e Kampionëve. Ai ende nuk ka realizuar në ligë. Pavarësisht kësaj, trajneri Vilanova vazhdon të deklarojë se kiliani është futbollist i rëndësishëm për Barcelonën.
Statistikat vështirë se e konfirmojnë rëndësinë e tij për lojën dhe sidomos rezultatet e gjigantit katalan. Por, fatmirësisht për të, Vilanova shpreson se do të vijnë ditë më të mira për Sanchezin.
“Djaloshi është mirë këtu dhe ka kontratë të gjatë më ne”, deklaroi ai për ESPN Espana. “Shpresoj se ai do të vazhdojë të luajë këtu për një kohë të gjatë”, u shpreh ai. Sanchez iu bashkua Barcelonës më 2011 për mbi 30 milionë euro. Deri më tani ka zhvilluar 56 ndeshje duke shënuar 16 gola.