E Diel, 1 Nëntor 2026

De Brischambaut: Të rifillojë dialogu politik

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Marc Perrin De Brischambaut ka shprehur gatishmërinë e kësaj organizate për të ndihmuar vendin tonë për të garantuar që zhvillimi politik i vendit të jetë në përputhje me angazhimet e tij ndaj OSBE-së, parimet dhe standardet demokratike si dhe me aspiratat e tij për të ardhmen.
 

Në një takim me kreun e shtetit Bamir Topi, De Brischambaut theksoi se në Shqipëri duhet të rifillojë dialogu politik konstruktiv brenda institucioneve politike shqiptare dhe të rivendoset sërish fokusi i përbashkët tek e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.

Ai nënvizoi se zgjedhjet vendore të datës 8 maj mund të shërbejnë si një instrument kyç për të ndihmuar në kapërcimin e ngërçit aktual politik. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Marc Perrin De Brischambaut, vuri në dukje dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm që mund të luajë Presidenti i Republikës në këtë drejtim.
Nga ana e tij kreu i shtetit Topi duke vlerësuar mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme të OSBE-së për autoritetet shqiptare në promovimin e demokratizimit, shtetit të së drejtës, në konsolidimin e institucioneve demokratike në përputhje me parimet dhe standardet ndërkombëtare, vuri në dukje faktin se ne mirëpresim angazhimin dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për kapërcimin e situatës së krijuar në mënyrë që procesi elektoral për zgjedhjet për pushtetin vendor të përcaktuara për t`u mbajtur në datën 8 maj të jetë i lirë, i ndershëm dhe i pakontestueshëm nga partitë politike në vend.

“Ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku në rrethana të papranueshme u shënuan akte dhune ndaj institucioneve të shtetit dhe ku humbën jetën katër qytetarë, kërkojnë domosdoshmërisht një hetim profesional, të plotë dhe të pavarur me qëllim që cilido individ, i cili ka shkelur ligjin, pavarësisht përkatësisë politike ose profesionit, të përballet me pasojat e merituara ligjore”, - u shpreh Presidenti i Republikës.
Gjithashtu, Presidenti Topi nënvizoi rëndësinë e demonstrimit nga partitë politike të vullnetit politik si dhe përgjegjësi për gjetjen e një zgjidhjeje të situatës konfliktuale përmes dialogut institucional. Presidenti Topi, në përmbushje të rolit të tij kushtetues dhe ligjor që përcaktohet nga pozicioni i tij institucional mbi partitë, ritheksoi gatishmërinë e tij për të marrë çdo veprim të nevojshëm që nxit apo garanton dialogun politik institucional midis palëve politike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›