De Rosi dhe Gatuzo, gati për Lipin
Të gjithë të rikuperuar, të gjithë në dispozicion! Marçelo Lipi i ka fshirë të gjitha dyshimet para ndeshjes së rëndësishme që Italia do të zhvillojë sot kundër Malit të Zi, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës 2010. De Rosi dhe Gatuzo duhet të jenë gati për ndeshjen dhe ka shumë mundësi që të rishohim në fushë edhe Xhuzepe Rosin. "Mund të rikuperohen të gjithë, - ka deklaruar tekniku i axurrëve, pas stërvitjes të zhvilluar në stadiumin e Leçes. - Ka pasur thjesht një shqetësim të tepruar. De Rosi mund të luajë, ndërsa Rosin e kemi zbuluar të shtunën dhe, ndoshta sot, që nga fillimi i ndeshjes, ose në pjesën e dytë, mund ta rizbulojmë." Paraqitja e të shtunës kundër Bullgarisë i ka pëlqyer Lipit, i cili shpreson ta rishohë të njëjtën gjë edhe në takimin e sotëm. "Ekipi është në gjendje të mirë, duhet ta përballojmë ndeshjen kundër Malit të Zi me të njëjtën mënyrë që kemi bërë në Sofje, por këtë herë duhet të tregohemi më shumë agresivë dhe sulmues," - ka nënvizuar tekniku. Sfida me malazezët është shumë e rëndësishme për të siguruar një pasaportë për në Afrikën e Jugut. "Nëse fitojmë, edhe barazimi kundër Bullgarisë do të konsiderohet i rëndësishëm, ndërsa, nëse nuk fitojmë, do të konsiderohen të dyja rezultatet të këqija; e di shumë mirë se si funksionojnë gjërat." Lipi e respekton kundërshtarin, si "një ekip i ri, por që ka në përbërje lojtarë me cilësi të mëdha, si Vuçiniç dhe Jovetiç". Por, gjithsesi, ka besim tek aftësitë e lojtarëve të tij: "Mendoj se kjo Itali është një ekip që, nëse kërkon me çdo kusht fitoren, mund ta arrijë atë edhe duke vuajtur". Sipas dikujt, shtypi italian e mban me "hatër" trajnerin e kombëtares. Lipi nuk është dakord: "Nuk më duket se gazetarët mbajnë krahun tim, madje, mendoj se është e kundërta. Pas ndeshjes së gushtit kundër Austrisë jam kritikuar pa rezerva. Lexoj se më trajtojnë mirë, - vazhdon trajneri. - Nëse ky mekanizëm është i vërtetë, atëherë duhet të ketë filluar të funksionojë deri në darkë, pasi deri tani nuk e kam vënë re. Gjithsesi, këto nuk më interesojnë, pasi unë mendoj vetëm për ndeshjet dhe fitoret."