Shqipëria kundër "Topit të Artë"...
Kristiano Ronaldo dos Santos Aveiro është emri i fituesit të "Topit të Artë" 2008. Për momentin, asgjë nuk është zyrtarizuar, por ky është një rast ku nuk priten supriza dhe, pas 50 ditësh, mesfushori portugez i Mançesterit do të shpallet futbollisti më i mirë i planetit nga "France Football" dhe FIFA. Ronaldo do të pasojë Kakànë në "librin e artë", pasi i dha Mançesterit titullin kampion në Europës dhe Angli. Në sezonin e kaluar ai luajti 47 ndeshje dhe shënoi 42 gola. Eliminimi në çerekfinalet e europianit nuk do të ndikojë shumë, pasi rivalët e drejtpërdrejtë Ibrahomoviç dhe Mesi janë shumë prapa.
Kristiano Ronaldo do të jetë rreziku numër 1, por jo i vetëm për Shqipërinë. 23 vjeçari, që shënoi një gol në çdo dy ndeshje me kombëtaren, u zbulua nga Sportingu i Lisbonës, skuadra e para që i dha një kontratë profesioniste, pasi e mori nga të rinjtë e Nacionalit. Në vitin 2003 kaloi te Mançester Junajtid, duke marrë një përgjëgjesi shumë të madhe. Trajneri Ferguson i beson numrin 7 që, ndryshe do të thoshte pasardhësi i Devid Bekhamit, i cili sapo kishte shkuar te Reali i Madridit. Ronaldo nuk u tremb nga përgjegjësia, përkundrazi, që në moshën 19 vjeçare filluan të viheshin re tiparet e liderit. Në "Gjermani 2006" ai pati një zënkë me shokun te Mançesteri Uejn Runi, gjatë ndeshjes Angli Portugali. Të gjithë menduan se i kishte ardhur fundi karrierës së tij në Premier Ligë, por me magjitë në fushën e lojës Ronaldo i shndërroi kritikat në duartrokitje dhe tani është idhull në "Old Traford", me dy titujt me prestigjozë të fituar sezonin e kaluar. "Kristiano Ronaldo nuk ka çmim." Kjo ka qenë fjalia, me të cilën Fergusoni refuzoi 100 milionë eurot e ofruara nga Reali për shërbimet e portugezit. Ronaldo mungoi dy muajt e parë të sezonit, për shkak të një operacioni në kavilje; kësisoj, nuk luajti në eliminatoret ndaj Maltës dhe Danimarkës. Ai u rikthye ndaj Suedisë dhe është plotësisht i gatshëm të ndeshet me skuadrën tonë. Trajneri Ari Han duhet ta ketë parasysh shprehjen e bashkatdhetarit dhe ish shokut të skuadrës Johan Krujf, i cili, i pyetur për Kristiano Ronaldon, tha: "Eshtë vetëm 23 vjeç, por është më i mirë se Xhorxh Besti, se Erik Kantona dhe se Devid Bekham. Mendoj se Kristiano nuk njeh kufi, kështu ka për të qenë deri në fund të karrierës së tij. Shpejtësi, teknikë, fortë! Ai është prototipi i futbollistit modern".Futbollistët e Keriozit i kërkojnë sot me çdo kusht tri pikët ndaj Shqipërisë
Portugezët: Fitorja, alternativa e vetme!
Portugalia nuk ka fituar në dy ndeshjet e fundit për eliminatoret e Kupës së Botës. Sot, ndaj Shqipërisë, të besuarit e Karlos Keriozit janë të detyruar të luajnë për tri pikët. Portugezët kanë katër pikë, aq sa shqiptarët, tri më pak se Danimarka kryesuese, e cila nuk do të luajë sot. Luzitanët barazuan 0 0 me Suedinë ditën e shtunë dha tani kërkojnë autokritikën para tifozëve vendas, duke parë se në ndeshjen e parë në fushën e tyre u mundën 3 2 nga Danimarka. "Duhet ta ngulisim në mendje se nuk mund të humbasim më pikë në fushën tonë, - tha mesfushori Zhao Moutinjo, i cili do të jetë titullar në ndeshjen e sotme, që do të zhvillohet në Bragë. - Në këtë sfidë nuk kemi asgjë alternativë tjetër, përveç fitores." Për portugezët nuk do të jetë e lehtë ta thyejnë murin mbrojtës të Shqipërisë, ashtu siç bërë në eliminatoren e parë të fituar 4 0 ndaj Maltës. "Duhet t'i marrim tri pikët në shtëpi,"tha mbrojtësi Paulo Ferreira, përpra se të paralajmëronte se "ata mbrohen me forca të shumta, me shumë futbollistë, pas linjës së topit. Duhet të tregohemi të durueshëm në kërkimin e golit të parë". Ndërkohë, mesfushori i Mançesterit, Nani, tha: "Ka ardhur koha t'i rikthehemi fitores, duke shënuar gola. Çdo rezultat tjetër do të ishte krejtësisht i papranueshëm". Portugalia renditet në vendin e dhjetë të FIFA s, ndërsa Shqipëria është e 83 ta.