E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debate në Këshillin Bashkiak, miratohen projekt/vendimet

TIRANË- Bashkia e Tiranës nisi mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, me debate të forta, pas kërkesës së këshillatërve të djathtë për shkarkimin e sekretarin të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj. Përfaqësuesit e majtë kundërshtuan që kjo pikë të futet në rend dite, duke theksuar se një vendim i tillë është i paligjshëm. Të majtët bojkotuan seancën pas kundërshtimit të hasur nga kryetari Kosovrasti dhe këshilltarët demokrat, për tu rikthyer pas disa minutave pushim.

Pas kërkesës së këshilltarëve të majtë kohë më parë, në lidhje me taksat vendore, kryebashkiaku Basha informoi mbi performancën fiskale dhe çështje të tjera të lidhura me performancën fiskale të Bashkisë së Tiranës, në periudhën e drejtimit nga administrata që drejtohet prej tij.

KËSHILLI BASHKIAK MIRATON PROJEKTVENDIMET
Ora 21:45 Drafti i rregullores për organizimin, funksionimin, ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive për administratën bashkiake u miratua vetëm me votat e maxhorancës. Miratimi i Rregullores për organizimin, funksionimin, detyrat e përgjegjësitë e administratës, aparatit të Bashkisë së Tiranës, vjen pas ristrukturimeve që Bashkia ka pësuar, në kuadër të së cilit është shtuar personeli teknik, për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, të tilla si AMK, fuqizimi i inspektoriateve të ndryshme, fuqizimi i krahut urbanistik të Bashkisë së Tiranës dhe është zvogëluar masa e fondeve që Bashkia harxhon në formën e shërbimeve që nuk i ofrohen qytetarëve, por administratës. Unanimisht u votua projektvendimi që ka të bëjë me vlerën maksimale të bonusit të strehimit për tri zona të rëndësishme, që përfshijnë hapësirat brenda unazës së vogël, atë ndërmjet dy unazave si dhe territoret periferike jashtë saj. Ky projekt-vendimi ka të bëjë me përditësimin e hartës së bonusit të strehimit, për tre zona të qytetit të Tiranës, me qëllim që një numër i madh familjesh të Tiranës të kenë mbështetje sa më proporcionale në raport me kostot aktuale të qiramarries. Këshillit miratoi unanimisht edhe projektvendimi për ndryshimin e buxhetit mbi miratimin e shpërblimit prej 2 milionë lekësh të reja sportistes Romela Begaj për arritje të rezultateve të larta sportive. Miratim me votat e maxhorancës mori edhe drafti për miratimin e tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2013-2015. Pas kërkesës së këshilltarëve të majtë kohë më parë, në lidhje me taksat vendore, kryebashkiaku Basha informoi mbi performancën fiskale dhe çështje të tjera të lidhura me performancën fiskale të Bashkisë së Tiranës, në periudhën e drejtimit nga administrata që drejtohet prej tij. 

RINIS MBLEDHJA, KTHEHEN KËSHILLTARËT E PS
Ora 20:04 Këshilli Bashkiak ka rinisur mbledhjen, pas pushimit të marrë për arsye të largimit të këshilltarëve të PS. Të majtët janë rikthyer mbledhjes.

KËSHILLI BASHKIAK 5 MINUTA PUSHIM
19:21- Këshilltari Tahir Muedini i kërkoi Kosovrastit që pas largimit të socialsitëve të bëhet 5 minuta pushim për arsye që edhe këshilltarët e majtë t'i rikthehen mbledhjes. Kryetari Kosovrasti pranoi kërkesën. 

BASHA: TONET E LARTA NUK I SHËRBEJNË MIRËKUPTIMIT, SHPRESOJ QË TË KTHEHEN
Ora 19.10-Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha në fjalën e tij theksoi se nuk pajtohet me situatën që krijuan këshiltarët e PS në mbledhjen e sotme. Basha shtoi se do të bëhet cfarë është e mundur që të sigurohet pjesmarrja e këshilltarëve të PS në mbledhjet e këshillit bashkiak.
“Jam dakort me parafolësit që ky nuk është një gjest i përshtatshëm për Këshillin Bashkiak dhe shpresoj të arrihet në një mirëkuptim. Duhet të sigurojmë pjesmarrjen e tyre në përputhje me ligjin dhe normat e caktuara. Jam kundër akteve të pahijshme dhe tonet e larta nuk i shërbejnë mirëkuptimit”. 

PONI: TË VIJOJMË MBLEDHJEN, KËSHILLTARËT E PS E NDANË MËNDJEN QË IKËN
Ora 19:00-Ndërsa drejtuesi i mbledhjes Njazi Kosovrasti kërkoi një pushim të shkurtër pas largimit të këshilltarëve të majtë nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, ka ndërhyre këshilltari i PD, Ferdinant Poni që kërkoi vijimin e mbledhjes.
“Nuk mendoj se duhet të bëjmë pushim. Këshilltarat e majtë e kanë ndarë mëndjen të ikin, le të ikin, nuk do shkojmë dhe ne pas tyre. Mbledhja të vijojë sipas rendit të ditës dhe të mos bëhemi pjesë e lojërave të tyre”, tha Poni. Mbledhja vijoi pas deklaratës së Ponit.

KËSHILLTARËT BASHKIAKË TË MAJTË LARGOHEN NGA SALLA E MBLEDHJES
Ora 18:50- Pas një debati të fortë mes Kosovrastit dhe Dalipit, këshilltarët e majtë dolën nga salla duke ndërprerë kështu disa minuta mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Bojkoti erdhi pasi 20 këshilltarë demokrat kanë firmosur shkarkimin nga detyra të Sekretarit të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj duke ngjallur pakënaqësinë e këshilltarëve socialist. Kreu i grupit të këshilltarëve të PS, Aldrin Dalipi kërkoi nga këshilltarët e djathtë që të jepeshin arsyet e këtij shkarkimi, të cilëin e quajti të jashtëligjshëm. “Gjonaj ka qenë funksionar politik, apo gjatë viteve të punës së tij ka paraqitur shqetësim që sot na bien në këtë përfundim.”- theksoi Dalipi. 

KËSHILLTARËT: FRANKO FRATINI TË SHPALLET QYTETAR NDERI 
Ora 18: 55- Këshilltarët e djathtë, me nismë të kryebashkiakut Basha kërkuan sot shpalljen e ish ministrit të Jashtëm Italian, Franko Fratini qytetar nderi.

KËRKOHET SHKARKIMI I GJONAJ NGA SEKRETAR I KËSHILLIT BASHKIAK
Ora 18:45- Kryetari i Këshillit, Njazi Kosovrasti nisi mbledhjen me propozimin për shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj. Përfaqësuesi i majtën në Këshill, keshilltari Aldrin Dalipi kërkoi të dijë cilat janë arsyet e këtij shkarkimi. "Ju doni te prisni koka dhe pastaj emeroni ndonje njeri, emrin e te cilit ne se dime ende". Kreu i këshilltarëve demokrat Ferdinand Poni tha se shkarkimi i Gjonaj vjen si rezultat i rikonfigurimit të Këshillit Bashkiak, duke mos përmendur asnjë shkelje apo abuzim me detyrën nag ana e tij.

Mazhoranca kërkon një sekretar tjetër në vend të Vladimir Gjonaj dhe për këtë ka depozituar kërkesën për këtë mbledhje të këshillit bashkiak me 20 firma të këshilltarëve bashkiakë.

PROJEKT/VENDIMET QË DISKUTOHEN SOT
Në rend dite janë pesë pika pasi një prej pikave është edhe interpelanca e kryebashkiakut Lulzim Basha që do të bëhet në lidhje me taksat, e kërkuar kjo nga këshilltarët e opozitës. Një prej projekt/vendimeve që do të diskutohen për miratim është edhe drafti i rregullores së administratës së bashkisë. Nëpërmjet këtij drafti përcaktohet organizimi, funksionimi, ndarja e detyrave dhe përgjegjësive për administratën bashkiake. Si dhe në një prej neneve të kësaj rregulloreje, përcaktohen edhe kritere për veshjen dhe kodin e etikës që punonjësit duhet të përmbushin gjatë orarit të punës. Neni 16 i rregullores mbi etikën dhe kodin e veshjeve të punonjësve, përcakton se punonjësit duhet të paraqiten çdo ditë në ambientet e punës me kostume e kravata. Në nivele më të ulëta sesa rangu i drejtorit, punonjësi duhet të mbajë detyrimisht pantallona dhe këmishë serioze. Ndërsa punonjëset e kanë të ndaluar mbajtjen e fundeve apo fustaneve të shkurta apo këmisha e bluza me dekolte. Rregullorja përcakton edhe kujdesin që nëpunësit duhet të tregojnë për higjienën në ambientet e punës dhe mbajtjen e flokëve. Për punonjësit meshkujt ndalohet mbajtja e flokëve nën gjatësinë e përcaktuar, ndërsa për punonjëset ndalohen nuancat e forta dhe modelet ekstravagante. Rregullorja përcakton se në ambientet e Bashkisë është kategorikisht e ndaluar konsumimi i duhanit dhe pijeve alkoolike. Tarraca dhe ambientet e tjera jashtë Bashkisë janë të vetmet ambiente ku do të lejohet pirja e duhanit. Nëpunësit dhe punonjësit, janë të detyruar t’u përmbahen normave të etikës gjatë orarit të punës, thuhet në rregulloren e re, në të kundërt merren masa administrative.

Një tjetër vendim i parashikuar është miratimi i vlerës maksimale të bonusit të strehimit për tri zona të rëndësishme, që përfshijnë hapësirat brenda unazës së vogël, atë ndërmjet dy unazave, si dhe territoret periferike jashtë saj. Gjithashtu, Këshillit do t’i paraqitet për miratim dhe projektvendimi për ndryshimin e buxhetit mbi miratimin e shpërblimit prej 2 milionë lekësh të reja sportistes Romela Begaj për arritje të rezultateve të larta sportive. Ndërsa projekt/vendimi i katërt që do të diskutohet në këtë mbledhje është edhe drafti për miratimin e tavaneve përgatitore të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2013-2015.

(d.b/el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera Këshilli Bashkiak, debate për shkarkimin e Sekretarit Basha: Muaji i Europës sjell investitorë të huaj në Tiranë VIDEO: Këshilli Bashkiak, debate mes anëtarëve të majtë dhe të djathtë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›