E Diel, 1 Nëntor 2026

Debate në Kuvend, opozita dhe mazhoranca përplasen për imunitetin e zv.kryeministres

Ka nisur me debate dhe tensione seanca e sotme plenare lidhur me çështjen e shqyrtimit të një kërkese të SPAK për heqjen e imunitetit, që ndodhet në Këshillin për Mandatet dhe Imunitetin.

Në nisje të punimeve të seancës, kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, akuzoi kryeparlamentarin Niko Peleshi për zvarritje dhe mungesë transparence në trajtimin e dosjes së ardhur nga Prokuroria e Posaçme.

“Sot bëhet mbi një muaj që keni marrë nga SPAK një dosje për ta përcjellë te deputetët, pasi duhet të votojmë për heqjen e imunitetit. Kjo nuk është vetëm shkelje e Rregullores dhe Kushtetutës, por është e papranueshme. Të na vihet në dispozicion sa më shpejt dosja, përndryshe do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Jeni i vetmi kryetar Kuvendi që ka fshehur dosje. Detyra juaj është të bëni transparencë”, deklaroi Shehaj nga foltorja e Kuvendit.

Akuzave iu përgjigj Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili i cilësoi pretendimet si të pavërteta dhe theksoi se procedurat janë ndjekur në përputhje me ligjin. Peleshi sqaroi se, deputetët që janë anëtarë të Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve pas kërkesave që kanë depozituar , janë njohur me përmbajtjen e dosjes. Ai theksoi gjithashtu se, ata e kanë të ndaluar ligjërisht të shpërndajnë dosjen pasi është çështje e sekretit hetimor.

“Nuk është e vërtetë që janë kyçur materiale apo prova. E kundërta është e vërtetë. Sipas rregullit dhe ligjit, kundrejt deklaratës për ruajtjen e sekretit hetimor të paraqitur nga SPAK, të gjithë deputetët anëtarë të Këshillit për Mandatet dhe Imunitetin që e kanë kërkuar, i kanë tërhequr materialet. Është ky këshill që i shqyrton materialet dhe i paraqet raportin seancës. Raporti do të vijë në seancë dhe Rregullorja na detyron që në të të përfshihen të gjitha opinionet e palëve”, u shpreh Peleshi.

Ai shtoi se deputetët që kanë marrë materialet janë të detyruar të respektojnë sekretin hetimor dhe të mos i bëjnë publike ato, duke theksuar se bëhet fjalë për një detyrim ligjor dhe kushtetues.

Debati u ashpërsua më tej nga deputeti demokrat Luçiano Boçi, i cili akuzoi mazhorancën për fshehje pas procedurave. “Ditën e raportimit të kreut të SPAK i drejtova një pyetje: a heziton SPAK të marrë nën hetim kryeministrin? Sot fshiheni pas procedurave dhe mbani në Këshillin e Mandateve një kërkesë të SPAK për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres”, deklaroi Boçi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›