180 vite burg për ish-krerët e UÇK, Kuvendi miraton propozimin e Ballës për deklaratë urgjente: T’i bëjmë të qartë Hagës se s’pranojmë një baltë të tillë

Me kërkesë të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Kuvendi ka miratuar sot përgatitjen e një deklarate nga Komisioni i Jashtëm në mbështetje të 4 ish-udhëheqësve të UÇK-së, për të cilët në Prokuroria në Hagë ka kërkuar në total 180 vite burg.
Balla e cilësoi aktakuzën si “turpëruese”, duke theksuar se kjo është një “aktakuzë e padëgjuar”, e cila nuk është aplikuar për asnjë prej personave të akuzuar për krime nga ana e ushtrisë serbe në Kosovë.
Për përgatitjen e kësaj deklarate u ngarkuan dy përfaqësues të Komisionit të Politikës së Jashtme, Igli Hasani dhe Tritan Shehu që, sipas Ballës, duhet të marrë mbështetje nga të gjitha palët politike.
“Jemi në seancë pak ditë nga një aktakuzë e turpshme, e dhënë ditën e hënë në ngarkim të 4 udhëheqësve të UÇK-së, 180 vjet burg janë kërkuar ndaj udhëheqësve të UÇK, një aktakuzë e padëgjuar, ndërkohë që për asnjërin nga personat e marrë përgjegjës penalë të ushtrisë serbe në Kosovë nuk ka ndodhur diçka e tillë. Kuvendi të ndërpresë punimet menjëherë, të ngarkojmë zotin Hasani dhe zotin Shehu në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe të përgatisim me urgjencë një deklaratë që duhet të gëzojë mbështetjen e të gjitha palëve për t’i bërë të qartë Hagës se Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund ta pranojnë një baltë të tillë të hedhur kundër një lufte çlirimtare sikurse ka qenë e ajo e popullit shqiptarë të Kosovës dhe ushtrisë çlirimtare të Kosovës”, tha Balla.
/rtsh.al/