Debate të forta në Këshillin Bashkiak të Tiranës, monopatinat dhe legjitimiteti i kryetares së komanduar në qendër të përplasjes

Mbledhja e sotme e Këshillit Bashkiak të Tiranës u shoqërua me debate të ndezura, ku vëmendjen kryesore e morën dy çështje: bllokimi i monopatinave elektrike nga Policia e Shtetit dhe legjitimiteti i Kryetares së komanduar të Bashkisë, Anuela Ristani.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan shpjegime për bllokimin e monopatinave elektrike, i cili nisi më 12 tetor pas vendimit të Policisë Rrugore.
Endri Shabani i Nisma Thurje, kritikoi Bashkinë, duke thënë se ajo i ka promovuar monopatinat si zgjidhje për trafikun dhe tani duhet të ofrojë një alternativë për qytetarët që i kanë blerë ato.
“Kjo bashki duhet që të kishte dhënë zgjidhje pas bllokimit,” u shpreh ai.
Ndërsa Dorjan Teliti i PD-së kërkoi informacion për fatin e mjeteve të sekuestruara, duke theksuar se po dëmtohen gjatë transportit dhe se qytetarët i kanë blerë me shpenzimet e tyre.
Anuela Ristani, Kryetarja e komanduar, u përgjigj duke theksuar se vendimi për bllokimin “nuk është vendim i Bashkisë së Tiranës.” Ajo u tha qytetarëve se alternativa e ofruar për lëvizje është transporti publik dhe korsitë e biçikletave.
Debati për legjitimitetin dhe masat disiplinore
Një tjetër përplasje u zhvillua mes këshilltares së “Lëvizjes Bashkë”, Mirela Ruko, dhe Nënkryetarit të Këshillit Bashkiak, Julian Hodaj. Ruko sfidoi kompetencat e Ristanit.
“Zonja Ristani nga e gjeni ju të drejtën për t’i propozuar këtij këshilli bashkiak projekt-aktet të cilat kanë të bëjnë me vizionin e bashkisë, për aq kohë sa ju nuk jeni zgjedhur nga qytetarët e bashkisë së Tiranës.”, tha Ruko:
Nënkryetari Julian Hodaj ndërhyri duke i fikur mikrofonin dhe duke i kërkuar të fokusohej vetëm te pyetjet. Pas insistimit të Rukos se Bashkia nuk ka drejtim legjitim, Hodaj mori masa më të ashpra.
“Mos më detyroni që të marr masa disiplinore ndaj jush zonja Ruko. Ju heq të drejtën e fjalës për të gjithë seancën.”, tha Hodaj.
Pavarësisht debateve, Këshilli Bashkiak miratoi të gjitha pikat në rendin e ditës, duke përfshirë projektvendime për mbështetjen e familjeve në nevojë, banesat sociale, ndihmën financiare për dëmet nga fatkeqësitë natyrore dhe investimet në infrastrukturë e sport.
/rtsh.al/