Italia me strategji të koordinuar për Gazën, ndihma humanitare, rindërtim dhe pjesëmarrje në forcën ndërkombëtare

Qeveria italiane ka finalizuar sot në Palazzo Chigi një strategji gjithëpërfshirëse për menaxhimin e emergjencave dhe rindërtimin në Rripin e Gazës, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Paqes në Lindjen e Mesme.
Në takimin koordinues, i thirrur me urdhër të Kryeministres Giorgia Meloni (e cila ndodhet në takimin e nivelit të lartë të Procesit të Akabës në Romë) dhe i kryesuar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, morën pjesë ministrat kyç dhe përfaqësuesit e Mbrojtjes Civile.
Qëllimi i takimit ishte identifikimi i ndërhyrjeve urgjente në afat të shkurtër dhe zhvillimi i një plani sinergjik në të gjithë sektorët.
Farnesina po përgatit dërgesën më të madhe të ndihmës ushqimore që nga fillimi i krizës: 100 ton në total. Përveç kësaj, janë siguruar një paketë fillestare prej 60 milionë eurosh për sigurinë ushqimore, kujdesin shëndetësor dhe kujdesin për të plagosurit.
Ministri Tajani theksoi se spitalet italiane si Bambino Gesù, Gemelli dhe Rizzoli do të vënë në dispozicion ekspertizën e tyre, duke përfshirë planet e telemjekësisë dhe krijimin e ambienteve për prodhimin e protezave. Ministrja për Aftësitë e Kufizuara njoftoi se do të ketë ndihmë të posaçme për fëmijët me aftësi të kufizuara të rënda, në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes Civile.
Ministri Nello Musumeci njoftoi se Mbrojtja Civile është e gatshme të ngrejë spitale fushore brenda pak ditësh dhe të përgatisë shtëpi modulare të parafabrikuara për strehim. Ministria e Universitetit propozoi krijimin e një universiteti në Rripin e Gazës, kurse mësimi në distancë dhe hapësira të përbashkëta dixhitale.
Thirrja e Tajanit për forcën ndërkombëtare
Në një informim të veçantë para Dhomës dhe Senatit, Ministri Tajani theksoi rolin e ardhshëm të Italisë në stabilizimin e rajonit.
“Plani i Trump kërkon vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) në Gaza. Italia është e gatshme të bëjë pjesën e saj,” tha Tajani. Ai theksoi se Parlamenti do të përfshihet në të gjitha vendimet, duke shpresuar për “unitet të qëllimit midis të gjitha forcave politike” lidhur me pjesëmarrjen e Italisë.
Tajani e përshkroi momentin si një pikë kthese historike, duke thënë se sot janë krijuar kushtet për një Gazë të çliruar nga Hamasi, e cila do të kalojë nën kontroll ndërkombëtar të përkohshëm, me perspektivën e arritjes së një shteti palestinez të vërtetë, demokratik dhe paqësor, të njohur nga Izraeli.
Ministri konfirmoi gjithashtu se Presidenti i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mahmoud Abbas, pritet të vizitojë Romën më 7 nëntor.
/rtsh.al/