Debati, PD tërhiqet nga hetimi i kandidaturave të Topit
Kuvendi ka shtyrë votimin për ndryshimin e Rregullores. Opozita braktis sallën në shenjë proteste
TIRANË- Ka mbetur pezull nisma e Partisë Demokratike për të hetuar në mënyrë parlamentare kandidaturat e propozuara nga Presidenti i Republikës për anëtarë të institucioneve Kushtetuese. Shkak është bërë këmbëngulja e opozitës për të mos bërë kompromis me mazhorancën për të miratuar dje në seancë plenare, me procedurë të përshpejtuar, ndryshimin e Rregullores së Kuvendit në nenin 111 të saj, ku dhe përcaktohet mënyra e procedimit për dhënien e pëlqimit për dekretet e Presidentit. Kundër këtij propozimi kanë dalë dhe përfaqësues të mazhorancës, si deputeti Besnik Mustafaj, apo edhe Dashnor Sula, të cilët në thelb e kanë konsideruar të tepruar tentativën për hetimin e kandidaturave të propozuara nga kreu i shtetit. Në draftin e propozuar, PD citon gjithashtu se kandidatët për të cilët Kuvendi vendos mozgjedhjen apo mosdhënien e pëlqimit, nuk mund të riparaqiten përsëri në Kuvend brenda të njëjtës legjislaturë
Opozita
Që në fillim të diskutimit, deputetët socialistë kanë kundërshtuar propozimin e demokratëve jo vetëm në përmbajtje, por edhe në mënyrën se si Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli u mundua ta fusë për miratim atë në seancë. Sipas kryetares së grupit socialist, Valentina Leskaj, nisur nga tradita e vendosur tashmë në Shqipëri, por edhe nga praktika e njohur ndërkombëtare, ndryshimi i Rregullores mund të bëhet vetëm me konsensus midis palëve. Prandaj ajo ka bërë të ditur vendimin e grupit të saj parlamentar për t’u larguar nga seanca, gjatë kohës që Kuvendi do të diskutonte këtë çështje dhe për t’u kthyer më pas, në pikën e radhës së rendit të ditës. “Rregullorja kërkon konsensus dhe është i papranueshme ngutja juaj për ta miratuar atë me procedurë të përshpejtuar. Ne s’na intereson lufta juaj me kreun e shtetit, ne duam një Rregullore të miratuar me konsensus”,- tha Leskaj. Ndërkohë që deputeti Arben Malaj, si propozues i një projekt-amendamenti tjetër për Rregulloren e Kuvendit, duke iu referuar pikërisht draftit të integruar që hartoi Këshilli i Imuniteteve, ka theksuar se ai kërkon ta kthejë institucionin e Kuvendit, në një hetuesi dhe gjykatë për kandidaturat për anëtarë të institucioneve kushtetuese. “Ne kemi propozuar seanca dëgjimi, ndërsa ju e keni kompletuar këtë me seanca hetimi dhe seanca gjykimi, çka e deformon funksionin e Kuvendit”, - tha Malaj.
Mustafaj
Por projekt-drafti i paraqitur në emër të Këshillit të Rregullores dhe Imuniteteve nuk ka gjetur vetëm kundërshtimin e opozitës. Përfaqësues me zë në gjirin e së djathtës, si Mustafaj, Sula apo Peçi, e kanë vlerësuar atë si një nismë të tepruar dhe të ngutur. Kështu, Mustafaj e ka cilësuar si tepër të domosdoshëm, miratimin e ndryshimit të Rregullores me konsensusin e opozitës. “Bashkohem me të gjithë ata që mendojnë se ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit duhet të jenë me konsensus dhe medoemos me prezencën e opozitës. Të gjitha ndryshimet e bëra më parë, janë bërë me konsensus. Ekzistojnë mundësitë për konsensus me opozitën pasi ata janë dakord në parim për ndryshimin e Rregullores. Duhet të negociojmë me opozitën për konsensus dhe nuk e kuptoj ngutjen”, - tha Mustafaj. Ndërkohë që edhe deputetit tjetër demokrat, Dashamir Sula, referuar pikërisht thelbit të këtyre ndryshimeve, ka vlerësuar si të papranueshëm ndryshimin e nenit 11 të Rregullores, në pikën 6 të saj. “Me pikën 6, jam dakord me seancat dëgjimore, por mendoj që është e tepruar që kryetari i komisionit, t’i kërkojë mendime institucioneve të specializuara për çdo kandidat”, - u shpreh Sula. Mungesa e opozitës, por edhe zërat kundër brenda vetë mazhorancës, kanë detyruar Kryetaren e Kuvendit që të shtyjë votimin dhe t’i kthejë dhe njëherë këto amendamente për t’u diskutuar në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit.