Dëbora,vazhdon të mbetet problematike situata në veri

Vazhdon të mbetet problematike situata nga reshjet e shumta të borës në veri të vendit. Njoftimet më të fundit tregojnë se trashësia e borës ka arritur deri në 70 centimetra, në qarqet e Dibrës dhe të Matit. Probleme ka pasur gjithashtu në Kurbin, Lezhë dhe Milot. Sipas kryetarit të komunës së Milotit Vlash Gega Malësia e Kurbinit është e izoluar dhe për shkak të erës janë dëmtuar rrjetet elektrike duke lënë pa enegji disa fshatra. Edhe segmente rrugore në Pukë, po paraqesin probleme të shumta për shkak të bllokimit nga rënia e borës. Ndërkaq, mësohet se edhe disa komuna të Tropojës kanë pasur probleme. Lekbibaj mbetet e izoluar, ndërsa raportohet se ka pasur edhe mungesa të energjisë elektrike. Situata me e rënduar në Qafën e Malit në Pukë, e cila është e bllokuar. Mësohet se 3 autobuza me udhëtarë janë ndaluar nga policia në Kukës për shkak të motit të keq por pasagjerët ankohen se nuk kanë pasur asnjë ndihmë dhe e kanë kaluar natën në autobuz. Mësohet se policia ka ndaluar lëvizjen e të gjitha automjeteve që nuk janë të pajisura me zinxhirë, për të minimizuar aksidentet e mundshme.