E Diel, 1 Nëntor 2026

Deficiti në muajin nëntor arriti 28 miliardë lekë. Tkurren eksportet dhe importet

Nuk ndalet thellimi i deficitit tregtar, pavarësisht politikave që po ndërmerr qeveria. Të dhënat e muajit nëntor, publikuar dje nga Instituti i Statistikave-INSTAT tregojnë një përkeqësim të situatës rreth shkëmbimeve të mallrave me vendet e tjera. Eksportet dhe importet po tkurren gradualisht, si pasojë e krizës e cila frenoi konsumin. Statistikat tregojnë se importi i ushqimeve, pijeve dhe duhanit ka pësuar rënie me rreth 15.8 për qind. Konkretisht, deficiti tregtar në muajin nëntor arriti në rreth 28 miliardë lekë, duke shënuar një rrije prej afro 1.5 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 5.2 për qind krahasuar me nëntor 2008. Partnerët kryesorë vazhdojnë të mbeten Italia dhe Greqia, pavarësisht reduktimit të tregtisë.
Treguesit dhe partnerët
Sipas INSTAT-it, në muajin nëntor 2009 janë eksportuan rreth 9,6 miliardë lekë mallra, me një ulje prej 0.8 për qind në krahasim me muajin tetor 2009 dhe rritje me 4.7 për qind në krahasim me nëntorin e 2008-s. Sa u takon importeve, kemi një volum prej 37,7 miliardë lekë mallra me një rrije prej 0.9 për qind në krahasim me muajin paraardhës, por me ulje me afro 2.9 për qind krahasuar me një vit më parë. Tregtia me vendet e Bashkimit Europian është 66.4 për qind, ku partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Sipas INSTAT-it, me Italinë eksporti është 62.9 për qind dhe importi 28.3 për qind, kurse me Greqinë, eksporti është 5.8 për qind dhe importi 12.9 për qind. Disa nga partnerët tanë tregtarë me të cilët eksporti dhe importi është rritur, janë: për eksportin, Britani e Madhe, Kinë, Kosovë, Spanjë, Turqi etj., dhe për importin, Austri, Britani e Madhe, Itali, Kinë, Ukrainë etj.
Shkëmbimi i mallrave
Kriza ekonomike ka prekur investimin për makineri dhe pajisje, duke përforcuar edhe më tej faktin se në vend është tkurrur forca e privatit. Të dhënat e muajit nëntor tregojnë se importi i makinerive, pjesëve të këmbimit, lëndës së parë në ndërtim etj., ka rënë me rreth 2.2 miliardë lekë, krahasuar me vitin 2008. Eksporti i grupit “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, është rritur me rreth 26.2 për qind etj., ndërsa eksporti i grupit “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” është ulur me 22.3 për qind dhe “Produkte kimike dhe plastike” me 14.1 për qind rënie. Kriza ka goditur edhe tregtinë e tekstileve, aty ku ekonomia shqiptare përftonte më tepër. Statistikat tregojnë se eksporti i mallrave “tekstile dhe këpucë” regjistrojnë ulje me afro 6.4 për qind, kurse në vlerë gati 1 miliard lekë më pak. Ndërkaq, vërehet rritje me 16.4 për qind të importit të grupit “prodhime druri dhe letre”, sikurse dhe “lëkurë e artikujt prej tyre” u rrit me 13.9 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›