Dëgjesa për buxhetin në Maliq – Bashkia merr shqetësimet e qytetarëve

Bashkia e Maliqit është duke kryer një sërë dëgjesash publike me qytetarët për Projekt Buxhetin Afatmesëm 2026-2028. Pjesë e diskutimit kanë qenë punët e realizuara, objektet në proces si dhe prioritetet për periudhën në vazhdim.
“Kemi mbyllur Pirgun, Vreshtasin dhe Moglicën dhe sot mbyllim Libonikun me Pojanin dhe kemi përfunduar kështu ciklin e takimeve buxhetore e të gjithë dëgjesave me qytetarët ku marrim shqetësime për buxhetin 2026-2028, u shpjegojmë se çfarë kemi realizuar në këtë vit që po shkon drejt mbylljes dhe cilat janë prioritet tona për çdo zonë, fshat dhe marrim dhe mendimet dhe shqetësimet e tyre”, u shpreh Gëzim Topçiu, Kryetar i Bashkisë Maliq.
Por cilat kanë qenë disa nga shqetësimet kryesore të qytetarëve?
“Në qytetin e Maliqit ende ka nevojë në zonën periferike për sistemime, për asfaltime, njësitë administrative kanë nevojë për ujin e pijshëm, probleme me kanalizimet e ujërave të zeza, problematikat janë të ndryshme”, tha Topçiu.
Pas përfundimit të dëgjesave në çdo zonë të bashkisë Maliq do të kryhet një renditje me shqetësimet e qytetarëve për tu pasqyruar në buxhetet e viteve të ardhshëm, me qëllim zgjidhjen e tyre.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/