E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në Divjakë rinisin eksportet – Fermerët vendosin etiketa, eksportuesit ankohen për kostot e larta të analizave

Pikat e grumbullimit në Divjakë kanë rifilluar eksportet pas disa ditëve ndërprerjeje. Nga sot, çdo arkë me prodhime bujqësore ka etiketën e identifikimit, ku shënohet emri i fermerit, NIPT-i dhe zona e prodhimit, duke rritur përgjegjësinë për përdorimin e pesticideve.

“Kjo etiketë përfaqëson fermerin, dhe shënohen kur sjell mall. Në momentin kur fermeri përfundon vjeljen e mallit, pra dorëzimin e mallit total, bëhet fatura e blerjes dhe shitjes e cila firmoset nga ana e pikës grumbulluese, vetë fermeri dhe transportuesi”, thotë Mariglen Tabaku, ekonomist Divjakë.

Prodhimet, kryesisht spec jeshil, po paketohen në magazinat frigoriferike për t’u dërguar drejt vendeve të Bashkimit Europian. Aktualisht eksportet shkojnë kryesisht në Çeki, Poloni, Kroaci dhe Serbi. Por eksportuesit thonë se kostot e analizave laboratorike janë shumë të larta dhe shteti duhet t’i garantojë laboratorë më të sigurt dhe më të lirë.

“...është një grup që kemi formuar me fermerët tanë dhe kemi kaq vjet që konsultohemi me njëri-tjetrin dhe dimë se çfarë duan”, thotë Elton Biti, eksportues në Divjakë.

Falë klimës së ngrohtë, fermerët kanë prodhime edhe në vjeshtë dhe këtë vit pritet një sasi më e madhe se një vit më parë. Eksportuesit kërkojnë që të zgjerohet harta e tregjeve ku shkojnë produktet shqiptare.

“Po fillon kulmi i prodhimit. Pikat e prodhimit e plotësojnë kërkesën dhe kemi dhe më shumë se sa eksportojmë. Kemi më shumë pasi aktualisht nuk ka kërkesë të madhe nga vendet që eksportojmë pasi edhe ato kanë prodhimet e tyre”, thotë Mariglena Biti, eksportuese në Divjakë.

Rastet e kthimit të domates dhe specit nga Kroacia dhe Sllovenia për shkak të pesticideve tronditën fermerët, duke sjellë ndërprerjen e eksporteve për dy javë dhe rënie të ndjeshme të çmimeve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›