Deklarata Ashton Fyle: Zgjedhjet përgjithësisht të rregullta
Nëpërmjet një deklarate të përbashket Kryediplomatja e Bashkimit Europian, Katerin Ashton dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle kanë vlerësuar procesin zgjedhor në Shqipëri.
Në deklaratë thuhet: Do të donim të përgëzonim qytetarët shqiptarë për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit, që u zhvilluan në mënyrë përgjithësisht të rregullt. Tani duhet të sigurohet një ndjekje e shpejtë e konstatimeve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve. Ne dënojmë rastet e raportuara të dhunës dhe presim që këto incidente të hetohen plotësisht dhe autorët të dalin përpara drejtësisë.
Tani është e rëndësishme që fazat e mbetura të procesit zgjedhor të mbyllen në përputhje me standartet ndërkombëtare dhe të BE. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të veprojnë me një frymë konstruktive për të mirën e popullit shqiptar. Pasi të certifikohen rezultatet, ne inkurajojmë formimin në kohë të qeverisë për të adresuar sfidat e menjëhershme për të siguruar që axhenda e reformave në vend po ndiqet energjikisht dhe se procesi i integrimit evropian të fitojë vrull të ri.”
