Deklaratat e ish-presidentit Medvedev, Trump dërgon nëndetëset bërthamore afër Rusisë: Fjalët mund të sjellin pasoja të papritura!

Dy nëndetëse bërthamore amerikane do të pozicionohen afër Rusisë me urdhër të presidentit Donald Trump pas deklaratave të ish-presidentit rus, Dmitry Medvedev, se Moska mund të përdorë arsenalin e vet bërthamor në rast të një konflikti të mundshëm.
Deklarata e ish-presidentit rus, i cili tani është në krye të Këshillit të Sigurisë së vendit, erdhi si reagim ndaj një ultimatumi të mëhershëm të presidentit Trump, pasi i la afat Rusisë “10 ditë duke nisur nga sot” për të arritur një marrëveshje për armëpushim me Ukrainën. Afati përfundimtar është e premtja e 8 gushtit, përndryshe Rusinë e presin sanksione ekonomike, ka thënë Trump.
“Bazuar në deklaratat shumë provokuese të ish-Presidentit të Rusisë, Dmitry Medvedev, që tani është Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse, kam urdhëruar dy Nëndetëse Bërthamore që të pozicionohen në rajonet e duhura, vetëm në rast se këto deklarata idiote dhe luftënxitëse janë më tepër se aq. Fjalët janë shumë të rëndësishme dhe shpesh mund të sjellin pasoja të papritura. Shpresoj që ky të mos jetë një nga ato raste. Ju faleminderit për vëmendjen rreth kësaj çështjeje!” shkroi presidenti Trump në rrjetet sociale.
Medvedev shërbeu si president i Rusisë në vitet 2008–2012. Të hënën ai kërkoi nga presidenti Trump që të tregohet më i matur me fjalët kur përmend Rusinë dhe ultimatumet, duke qenë se ushtarakisht nuk ka të krahasuar “me Izraelin, madje as me Iranin”.
“Trump luan lojën e ultimatumit me Rusinë: 50 ditë ose 10… Ai duhet të kujtojë 2 gjëra: 1. Rusia nuk është Izraeli, madje as Irani. 2. Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij,” shkroi Medvedev në rrjetin social “X”.
/rtsh.al/