E Hënë, 2 Nëntor 2026

Deklaratat për shkrirjen e SPAK, Berisha: Shqipëria nuk do të ketë një prokurori politike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë sot thirrje emigrantëve dhe diasporës shqiptare që të regjistrohet në platformën e KQZ-së në mënyrë që të votojnë në zgjedhjet e 11 majit.

“4 marsi është nesër në kuptimin e asaj që koha po ikën me shpejtësi. Ndaj dhe konsiderojeni 4 marsin si një ditë të nesërme në mënyrë që të regjistroheni vetë, të regjistroni familjarët tuaj, të regjistroni dhe bisedoni me miqtë tuaj, të regjistrohen për të votuar, të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e votës dhe firmosur ndryshimin e madh të Shqipërisë”, tha Berisha.

Ai u ndal edhe te deklaratat e tij për shkrirjen e SPAK nëse merr pushtetin, teksa e konsideroi Prokurorinë e Posaçme si “Prokurori politike”. Sipas Berishës, sistemi aktual i drejtësisë në vend është i kontrolluar dhe politizuar, teksa akuzoi prokurorinë për veprime që dëmtojnë opozitën.

“Qëndrimi i PD është shteti ligjor, shteti ligjor dhe mbi të gjitha, shteti ligjor. Për PD shteti ligjor është kushti i të gjitha kushteve për të bërë Shqipërinë të madhe përsëri. Është kushti i të gjitha kushteve për realizimin me sukses të të gjithë programit të saj. Në këtë kontekst unë besoj fort tek shqiptarët, se një prokurori që arreston 3 liderët politikë, të tre partive kryesore opozitare, një prokurori që rrëmben mandate opozitës, të dhëna nga zgjedhësit, një prokurori që amniston krimin elektoral, një prokurori që arreston gazetarë, është fund e krye një prokurori politike, pavarësisht aktiviteteve të tjera. Asnjë diskutim nuk ka që Shqipëria do të ketë prokurorinë më serioze në raport me ligjin, por Shqipëria kurrë nuk do të ketë një prokurori politike”, the Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›