E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë vlefshmërie për njohjen e studimeve

21/09/2009  Italia: Dokumentet për njohjen e titujve të studimit të kryer brenda territorit shqiptar

Pas dorëzimit të dosjes komisioni merr në shqyrtim vlefshmërinë e tyre

Ndjekja e studimeve pasuniversitare në shtetin italian mund të vijohet edhe me njohjen e atyre programeve studimore të kryera brenda vendit. Për këtë aplikuesi duhet të pajiset me deklaratën e vlefshmërisë, duke vërtetuar edhe legalizimin përkatës të titujve të studimit të kryer brenda vendit tonë. Për të marrë këtë deklaratë duhen dorëzuar një listë dokumentesh, që duhet të përmbajë diplomën e shkollës së lartë ose certifikatën apo dëshminë e specializimi pasuniversitar të kryer. Këto dokumente duhet të jenë në origjinal dhe të shoqëruara me listën e notave, që është themelore. Gjithashtu kërkohet fotokopje e noterizuar për atë që njihet si “njësia kopje konformë me origjinalin” si të diplomës, ashtu dhe listës së notave, që duhet të jenë të përkthyera, noterizuara dhe legalizuara pranë Ministrisë së Jashtme Shqiptare”. Njëkohësisht në legjislacionin italian përcaktohet se vetëm për ata persona që kanë mbaruar pranë Universitetit të Tiranës, Universitetit Politeknik të Tiranës ose Akademisë së Arteve në Tiranë kërkohet edhe një mandat arkëtimi, taksa në emër të Rektoratit, e cila pritet pranë Zyrës Juridike të Rektoratit ose pranë ndonjë banke të autorizuar nga kjo strukturë për llogari të Rektoratit. (“Kujtojmë, se ky mandat që duhet të sillni nuk ka nevoje të jetë i përkthyer dhe as i noterizuar apo legalizuar, si pjesa tjetër e dokumenteve”, - pohohet nga specialistët.) Në këtë proces duhet të paraqiten edhe dokumente të tjera, si dëftesë pjekurie apo dëftese lirimi e 8-vjeçares apo 9-vjeçares, të cilat duhet detyrimisht të jenë në origjinal. Njëkohësisht edhe këto duhet të shoqërohet me fotokopje te noteri, si dhe të jenë të vulosura e firmosura në drejtorinë arsimore të rrethit dhe më pas edhe në Ministrinë e Arsimit, si dhe në fund e përkthyer, noterizuar dhe legalizuar në Ministrinë e Jashtme Shqiptare. Lista duhet të ketë edhe dëshmi kualifikimi në infermieri, laborant dentar, apo kurse të tjera në nivel parauniversitar të kryera menjëherë pas 8-vjeçares apo pas së mesmes. Origjinali i kësaj dëshmie si dhe i listës së notave (në rast se kursi parashikon edhe listë notash) duhet të shoqërohet me fotokopje të noterizuar dhe e legalizuar më pas në Ministrinë e Jashtme të vendit tonë. Pas dorëzimit të dosjes së plotë të këtyre dokumenteve komisioni merr në shqyrtim vlefshmërinë e tyre, mbi bazën e së cilës do të lëshohet deklarata individuale.

Mandati financiar

Vetëm për personat që kanë mbaruar pranë Universitetit të Tiranës, atij Politeknik, Akademisë së Arteve në Tiranë kërkohet edhe një mandat arkëtimi, taksa në emër të Rektoratit, e cila pritet pranë Zyrës Juridike të Rektoratit ose pranë ndonjë banke të autorizuar nga kjo strukturë për llogari të Rektoratit. “(Kujtojmë se ky mandat që duhet të sillni nuk ka nevoje të jetë i përkthyer dhe as i noterizuar apo legalizuar si pjesa tjetër e dokumenteve.”)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›