E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët humbin shumicën në bashkinë e Durrësit

21/09/2009  Pas aleancës PD-LSI ndryshojnë ekuilibrat. Socialistët mbesin me 14 kartonë në këshill

Socialistët dhe aleatët e tyre të majtë nuk do të mund të kenë shumicën në Këshillin e Bashkisë së Durrësit pas marrëveshjeve politike të nënshkruara në nivel qendror mes PD-së dhe LSI-së. Në të parin takim të këshillit, takim që po shtyhet për shkak të humbjes së numrit të kartonëve në shumicë nga e majta dhe kalimit të balancës në anën e PD-së dhe aleatëve të saj, pritet të konkretizohet gjithçka.

Marrëveshja “anti-PS”

Zamir Ramadani në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Bashkisë dhe njëherësh figura kryesore e grupit të PD si dhe Vasil Ziu përfaqësuesi kryesor i LSI-së në këtë këshill veçmas kanë pranuar se janë bërë të gjitha marrëveshjet për ta kaluar në minorancë PS-në mbështetësit e vegjël të saj. Pas Tiranës edhe Durrësi pritet të afrojë në Këshillin e Bashkisë një situatë të ngjashme si dhe në kryeqytet. Pakënaqësitë e krijuara në radhët e së majtës janë vërejtur që në kohën e nisjes së fushatës së Ilir Metës për të krijuar në Durrës bërthamën politike për t’u konkretizuar me deklarimin publik të 7 anëtarëve. Genc Alizoti, Astrit Kote, Vasil Ziu dhe të tjerë pohuar se nuk do të jenë më në të njëjtin grup me PS duke detyruar socialistët të riorganizohen për të zgjedhur kryetarin e grupit pas largimit të Alizotit. Ndërsa deri më tani e majta ka mundur të kalojë vendime të rëndësishme mes tyre edhe projektin e buxhetit që ka kërkuar 2/3 e kartonëve pro, pas zhvillimeve të 28 qershorit gjithçka ka ndryshuar. Kryetari i bashkisë Vangjush Dako dhe administrata e tij do e kenë të pamundur për të kaluar një vendim edhe me numër të thjeshtë, pasi shifrat flasin për një shumicë në anë të PD-së dhe aleatëve të saj. Kryetari i grupit të LSI-së Vasil Ziu ka thënë se “Në të parën mbledhje të këshillit do të deklarojmë strategjinë e LSI-së në mbështetje të marrëveshjes me PD”. Palët kanë biseduar paraprakisht të gjitha modalitetet për të kaluar në pakicë socialistët. Këta të fundit janë përfshirë në një krizë të thellë edhe në Durrës, pasi një pjesë e anëtarësisë si dhe e Asamblesë Socialiste të qarkut apo këshillit drejtues në Durrës kanë kaluar në anë të të “rebeluarve” që kërkojnë largimin e Edi Ramës nga kryesimi i PSSH. Situata konfuze ndër socialistë, në takimin e radhës të Këshillit Bashkiak do të reflektohet me ikje të tjera në PS në LSI. 7 anëtarët e Metës në këtë këshill janë shprehur se bashkëpunimi me PD do të shtrihet në nivel lokal duke kërkuar të kenë vende kyçe edhe në disa dikastere. Këshilli i Bashkisë së Durrësit ka 45 anëtarë. PD, aleatët e saj strategjik e të përhershëm së bashku me 7 anëtarët e LSI-së kanë shtuar radhët duke numëruar plot 31 kartonë të bashkuar, ndërkohë që i kanë lënë PS dhe mbështetësve të saj vetëm 14 kartonë. Ikja nga marrëveshja me PS-në nisi me 5 anëtarët e LSI-së për të vijuar me ata të PAD, ndërsa socialistët kanë vetëm pjesën e tyre të mbetur dhe 2 vota të Gjinushit e të Milos. Për Vangjush Dakon i fajësuar nga socialistët si shkaktari kryesor i humbjes për shkak të zgjedhjeve të gabuara në listën e kandidimit të 28 qershorit, prova e parë do të jetë në mbledhjen e radhës ku ndër të tjera do të diskutohet lista e ndarjes së 48 apartamenteve për të pastrehët.

Lëvizjet e reja në administratë

Humbja e shumicës në këtë këshill nga socialistët e ka bërë edhe më të vështirë funksionimin normal të administratës, e cila është përfshirë në kolaps. Në mesin e tyre janë shumë të etiketuar si kundërshtarë të Edi Ramës dhe Dako kërkon t’i largojë, ndërkohë që ai e ka “pastruar”administratën nga të mbeturit pas ikjes së Lefter Kokës si kryetar bashkie. Sipas burimeve të besuara, LSI ka të mundur të marrë drejtimin e spitalit të Durrësit dhe emri më i lakuar ndër më të besuarit është ai i mjekut kirurg Vasil Ziu. Drejtori aktual Neritan Myderrizi ka qenë zgjedhje e PR, por mbetet ndër më të përfolurit. Kirurgu Vasil Ziu veç të tjerash ka mbështetje të dukshme edhe ndër bluzat e bardha për shkak të karrierës së tij të gjatë. Edhe arsimi mendohet se do i afrohet LSI dhe se janë disa emra që presin në “radhë” për të garuar. Genci Alizoti është emri më i diskutuar, por ende nuk dihet nëse PD-LSI do të mund të bien në ujdi për këtë këmbim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›