Deklarimi i mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj, Gjykata Kushtetuese nis shqyrtimin

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Gjykata Kushtetuese u mblodh sot për shqyrtimin e kërkesës së kryetares së Gjykatës Kushtetuese për deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Holta Zaçaj.
Gjykata administroi praktikën dokumentare të Gjykatës së Lartë, që ka shoqëruar procedurën për plotësimin e vendit vakant dhe zgjedhjen e Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, si dhe njoftimin e kryetarit të asaj gjykate për hapjen e procedurës për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës, janë dërguar zyrtarisht nga Gjykata e Lartë ditën e premte, datë 13 dhjetor, ora 16:30.
Gjykata vlerësoi që aktet në fjalë t`i komunikohen gjyqtares Holta Zaçaj, njëherazi edhe kryetarja e Gjykatës, e cila ka vënë në lëvizje këtë proces, me qëllimin për t’u njohur dhe për të vlerësuar paraqitjen e një opinioni me shkrim në lidhje me to.
Për këto arsye, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për ditën e nesërme, datë 17 dhjetor ora 13:00. /j.p/