E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ratifikimi i Konventës për njohjen e vendimeve gjyqësore të huaja, Karameta: Rritje e efektivitetit

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Në drejtimin e kryetares, Jorida Tabaku, komisioni për Çështjet Evropiane zhvilloi mbledhjen e radhës, ku shqyrtoi disa projektligje të rëndësishme.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Klajd Karameta prezantoi projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për njohjen dhe ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore të huaja në çështjet civile ose tregtare”.

Në fjalën e tij, Karameta tha se, ky projektligj ka për qëllim ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore të Huaja në Fushën Civile ose Tregtare.

“Konventa, synon të sigurojë përmirësimin e bashkëpunimit gjyqësor, përmes krijimit të një tërësie uniforme të rregullave bazë për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të huaja në çështjet civile ose tregtare, të dhëna nga shtetet palë të konventës”, tha ai.

Relatorja e çështjes, Gerta Duraku vuri në dukje se, objektivat kryesorë lidhur me ratifikimin e kësaj konvente janë, rritja e efektivitetit të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve gjyqësore në aspektin e njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve gjyqësore civile ose tregtare, ulja e kostove të transaksioneve dhe proceseve gjyqësore përtej kufijve kombëtarë, sigurimi i një regjimi ligjor, që rrit më tej sigurinë dhe parashikueshmërinë në marrëdhëniet ndërkombëtare etj.

Pas diskutimeve, ky projektligj u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Sa i përket projektligjit “Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për veprat penale që lidhen me pasurinë kulturore, bërë në Nikosia, më 19.5.2017”, të ftuar ishin përfaqësues nga ministria e Kulturës dhe Inovacionit, Arsiola Dyrmishi, Doris Pasha etj.

Qëllimi i ratifikimit të kësaj konvente është bërja e këtij akti ndërkombëtar pjesë e kuadrit ligjor të brendshëm, duke synuar kështu parandalimin e shkatërrimit, dëmtimit dhe trafikimit të pasurisë kulturore si dhe promovimin e bashkëpunimit kombëtar dhe ndërkombëtar në luftimin e veprave penale që lidhen me pasurinë kulturore.

Relatori i çështjes, Blendi Klosi, tha se, “ky ratifikim sjell përfitime të rëndësishme për Shqipërinë, duke forcuar mbrojtjen e pasurisë kulturore dhe duke përmirësuar legjislacionin përkatës”.

“Kjo do të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën ndaj krimeve kulturore, si dhe do të rrisë besimin për investimet dhe shkëmbimet kulturore”, tha Klosi.

Për më tepër, shtoi ai, “ratifikimi do të inkurajojë edukimin dhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke kontribuuar në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”.

Anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, për projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe bankës për zhvillim të Këshillit të Evropës, për financimin e projektit “Laboratorët inteligjentë (smart Labs) – digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”, të ftuar ishin zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga dhe stafi shoqërues.

Relatorja e çështjes, Gerta Duraku, vuri në dukje se objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të përmirësojë arsimin digjital në Shqipëri, duke përmirësuar kompetencat dhe aftësitë digjitale ne te gjitha klasat e shkollave, nga shkollat fillore deri ne ato te mesme, pra nga klasat 1 deri në 12.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj në parim, nen për nen dhe në tërësi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›