Deklaroni llogaritë financiare, Tatimet apelojnë për plotësomin e formularit: Ja penalitetet!

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në zbatim të Ligjit Nr. 4/2020 “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarive Financiare”, sjell në vëmendje të të gjithë individëve dhe tatimpaguesve të cilët zotërojnë një llogari financiare, të bashkëpunojnë me institucionet financiare përkatëse për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, të kërkuar nga këto institucione, sipas afateve të përcaktuara nga secila prej këtyre institucioneve.
Mosdhënia e informacionit të mësipërm nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme apo person tjetër përgjegjës, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe penalizohet sipas ligjit nr. 4/2020.
Standardet e reja globale për shkëmbimin automatik të informacionit janë vendosur për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit. Këto standarde i kanë ndetyruar autoritetet tatimore shqiptare, që, në bashkëpunim me vendet e G20 dhe OECD, të krijojnë Standardin e Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin automatik të informacionit.
Institucionet financiare duhet të mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive te cilët janë rezidentë të shteteve të tjera. Një informacioni i tillë duhet të transmetohet “automatikisht” për çdo vit.
Sipas tatimeve, informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet përfshirë trustet dhe fondacionet.
Ky është Ligji që ka miratuar Kuvendi i Shqipërisë, ndërsa penalitetet administrative fillojnë nga vlera 10 mijë lekë deri në 1 milionë lekë të rinj për të gjithë ata posedues të një llogarie që nuk deklarojnë llogarinë e tyre. Tatimet e kanë të disatën herë thirrjen e tyre për respektimin e ligjit fiskal.