E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e Nishanit, PS: Janë antikueshtetues, PD:Kemi kuorum

TIRANE - Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi vetëm me votat e maxhorancës dekretet e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Deputetët socialistë të opozitës e konsideruan antikushtetues dhe u larguan nga salla duke deklaruar se nuk mund të bëheshin pjesë e këtij procesi.

Deputetit Pandeli Majko tha se ky proces është antikushtetues, pasi në Kuvend ka dekrete të depozituara nga ish-presidenti Bamir Topi dhe që nuk janë shqyrtuar. "Ka dekrete të pezulluara të presidentit paaradhës. Shteti nuk funksionon me emra individësh, por me logjikë. Opozita nuk mund të marrë pjesë në një çorbë të tillë " u shpreh Majko dhe më pas të gjithë deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja.

Në kundërpërgjigje kryetari i komisionit të ligjeve Ilir Rusmali akuzoi opozitën se po lë në baltë shqiptarët.
"Opozita është larguar me dhjetra herë duke lënë në baltë shqiptarët, ajo përbuz Kushtetutën. Sot ne jemi në një proces për plotësimin e vendeve vakante dhe opozita iku për të mos i votuar kandidatët. PS do të sulmojë Gjykatën Kushtetuese siç ka bërë me KQZ-në dhe me institucione të tjera. Largimi nuk na shqetëson, ne e kemi kuorumin”, u shpreh Rusmali.

I pranishëm në mbledhjen e komisionit të ligjeve ishte Besnik Imeraj, kandidati për anëtar në Gjykatën Kushtetuese i cili tha se “Qëllimi im të zbatoj ligjin”

Më 22 mars, Kreu i Shtetit dekretoi emërimin e Gani Dizdarit dhe të Besnik Imerajt si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Xhezair Zaganjorit si anëtar të Gjykatës së Lartë. Më herët, ai zhvilloi takime të veçanta me krerët e grupeve parlamentare të partive politike ku diskutoi për kriteret profesionale që duhet të kenë kandidatët si anëtarë për këto gjykata.

Në Gjykatën Kushtetuese prej vitit 2010 ishte një vend vakant pas tërheqjes së gjykatësit Petri Plloçi dhe për zëvendësimin e tij ish-presidenti Topi kishte dekretuar emërimin e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Artan Hoxha. Dekretimi i ish-presidentit Topi është kaluar edhe në Komisionin e Ligjeve dhe tashmë ka mbetur prej tetë muajsh në Parlament pasi nuk është futur në proces votimi.

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›