E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekretet e reja do të kalojnë me rregulloren e ndryshuar

Këshilli për Rregulloren dhe Mandatet, në një mbledhje me dyer të mbyllura ka miratuar dje propozimet e bërë nga Partia Demokratike dhe të mbështetura nga Partia Socialiste, për ndryshimin e rregullores së parlamentit, lidhur me pëlqiminin që jep Kuvendi për kandidaturat e propozuara për anëtarë të institucioneve të pavarura. Në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Rregullores propozoi që komisionet parlamentare të zhvillojnë seanca dëgjimore për çdo kandidaturë që Kuvendi do të zgjedhë apo do të japë pëlqimin, me qëllim forcimin e kontrollit parlamentar dhe rritjen e transparencës ndaj publikut. Duke marrë në shqyrtim propozimet e ardhura nga deputeti i PD-së, Fatos Beja dhe deputetët e PS-së, Besnik Dervishi dhe Arben Malaj, për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, Këshilli vlerësoi se këto propozime konvergonin me njëri-tjetrin dhe ishin në frymën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që mban datën 18 janar 2005. Kësisoj, anëtarët e Këshillit të Rregullores, pasi ranë dakord parimisht me këto propozime, ngritën disa çështje që kanë të bëjnë me kandidaturat që marrin pëlqimin nga Kuvendi i Shqipërisë. Me synimin për të forcuar shtetin e së drejtës, dhe në mënyrë që të mos përsëritet më rasti që kandidaturat që nuk plotësojnë kriteret ligjore të futen në proçedurë, si edhe për disa çështje të tjera, Këshilli i Rregullores ra dakord që Byroja Juridike të formulojë ligjërisht propozimet e bëra për t’ia kaluar seancës plenare. Tashmë këto ndryshime do të kalojnë ditën e hënë në Kuvend për t’u miratuar duke bërë që dekretet e Presidentit të shqyrtohen me procedurën e re. Sipas anëtarëve të mazhorancës, pasi anëtarët e opozitës nuk morën pjesë, përmbajtja e kësaj nisme synon plotësimin e një boshllëku në Rregulloren e Kuvendit për sa u takon procedurave të shqyrtimit të kandidaturave të anëtarëve të organeve kushtetuese apo të krijuara me ligj, të cilat zgjidhen apo jepet pëlqimi nga Kuvendi. Kjo nismë i jep Kuvendit instrumentet e nevojshme që të përmbushë të drejtën dhe detyrimin kushtetues të shqyrtimit të plotësimit të kritereve formale, por sidomos meritën e kandidatëve të propozuar, siç përcaktohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ditën e djeshme u miratua organizimi i seancave dëgjimore të kandidatëve përpara komisioneve përkatëse në rastin e zgjedhjes apo dhënies së pëlqimit nga Kuvendi. Gjithashtu, parashikohet edhe bashkëpunimi i Kuvendit me institucione të tjera për marrjen e informacioneve legale mbi aspekte të rëndësishme të figurës së kandidatit, integritetit të tij, rezultateve profesionale dhe meritës së tij. Sipas anëtarëve të djathtë, kjo nismë respekton pozicionin kushtetues të Kuvendit të Shqipërisë dhe siguron përmbushjen e përgjegjësive të tij përballë publikut për të realizuar një proces shqyrtimi të kandidaturave të hapur dhe transparent. Nisma mundëson rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional të Kuvendit me institucionet e tjera kushtetuese për përmbushjen e obligimeve të përbashkëta në emërimin e disa anëtarëve të organeve kushtetuese. Në këtë nismë vendosen afate të përcaktuara për kryerjen e procedurave parlamentare si nga komisionet e Kuvendit ashtu edhe nga seancat plenare.
Ekspertët e grupit të punës, pranojnë sugjerimet e propozuara nga PD/Mbledhja e radhës e grupit të punës të ekspertëve për shqyrtimin e kandidaturave për Gjykatën e Lartë, mori në diskutim dje, dy nga kriteret e paraqitura nga Partia Demokratike, kryesisht, që janë, deklarimi i pasurive dhe integriteti moral. Gjithashtu pritet që të hënën ekspertët të diskutojnë sugjerimet e PS-së për kandidaturat e Gjykatës së Lartë, si dhe për dekretet e rrëzuara nga Kuvendi. Presidenti ftoi pak ditë më parë partitë politike që të japin sugjerimet dhe të përcaktojnë kriteret e tyre, që duhet të plotësojnë kandidaturat për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Menjëherë e gatshme i tregua Partia Demokratike, duke publikuar kriteret e saj përkatëse, ndonëse në të njëjtën linjë u shpreh edhe Partia Socialiste. Afati përfundimtar për pritjen e sugjerimeve është 30 qershori, ndërkohë që vendimi për të zgjedhur mes kandidaturave i takon Presidentit të Republikës, Bamir Topi.
Anëtarët e Gjykatës së Lartë, PS dërgon kriteret pas letrës së presidentit/Më në fund opozita ka mundur që ti kthejë përgjigje presidentit Bamir Topi për kriteret që kërkohen nga anëtarët e Gjykatës së Lartë. Pas letrës së presidentit Topi drejtuar partive politike dje PS ka kthyer letrën e saj në të cilën parashtron një sërë kërkesash fillesa e të cilave është respektimi i kritereve Kushtetuese. Duke theksuar se janë të gatshëm që në kuadër të reformës në drejtësi, të kontribuojnë për këtë çështje, PS rendit kriteret e saj. “Ne çmojmë se në procesin e përzgjedhjes, shqyrtimit dhe të votimit të kandidatëve për në Gjykatën e Lartë, duhet t’u jepet përparësi garantimit të gjyqësorit juristë me integritet moral, të dëshmojnë nivel të lartë profesional, duke gjykuar mbi bazën e karrierës, vlerave dhe rezultateve pozitive të shfaqura prej tyre në ushtrimin e detyrës. Gjithashtu duhet parë me kujdes që kandidatëve nuk u janë provuar shkelje gjatë ushtrimit të detyrës, kanë dëshmuar transparencë në deklarimin e pasurisë, i provojnë vlerat profesionale edhe përmes rekomandimeve nga të paktën tre personalitete të shquara të fushës”, ka theksuar në letër PS nëpërmjet kryetares së grupit parlamentar Valentina Leskaj. Më tej, opozita çmon se vlerësimi i kandidaturave duhet bërë jo mbi kritere politike dhe se shqyrtimi dhe votimi i kandidaturave duhet të jetë sa më transparent në funksion të forcimit të pavarësisë dhe profesionalizmit. Në letrën drejtuar kreut të shtetit kryetarja e grupit të PS Valentina Leskaj thekson se mbetet shumë i rëndësishëm përshpejtimi i procesit për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, pasi ky institucion vazhdon të jetë në kushtet e mosfunksionimit normal të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›