Sfidat që prokuror Adnan Kosova po i lë trashëgim pasardhësit
Vëmendjen e mediave elektronike e ka tërhequr dje “rotacioni” tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Adnan Kosova është larguar pa ndonjë motiv të saktë prej postit që mbante prej muajsh, edhe pse duket se ndaj tij është zbatuar praktika e vjetër e “qarkullimit”. Me kryerjen e rotacionit, na jepet rasti të përmendim edhe njëherë kontributin e shquar të prokuror Kosovës në kapërcimin e emergjencës, në njërin nga segmentet më të goditur të institucionit të akuzës. Shqipëria ishte pranuar botërisht se ishte në fillim të 2007-s një vend që qeverisej pjesë-pjesë nga banda të armatosura e shumë të fuqishme, për shkak se ato nuk hetoheshin si duhet nga institucioni i akuzës, i cili ishte shndërruar në një apendiks të aktivitetit të tyre. Bash thyerjen e kësaj tradite e kreu prokuror Kosova, me vendosmërinë e tij për t’i shkuar deri në fund hetimit të bandës së Lushnjes, njërës nga më famëkëqijat e epokës socialiste. Më tej erdhën të tjera kontribute të vyera të tij, në krye të prokurorisë së krimeve të rënda, kontribute që shpërfaqeshin jo vetëm në aksionin e pakompromis, por edhe në vendosjen e një marrëdhënieje të shkëlqyer me publikun, një revolucion ky për prokurorinë. Mund të mbledhim nga shtypi i ditës me dhjetëra raportime që reflektojnë rolin prej pionieri që ka luajtur Adnan Kosova në kthimin e imazhit tek institucioni i akuzës, së pari duke mos bërë kompromis me krimin e korrupsionin, e më pas edhe duke vendosur një traditë suksesi.
Pas kësaj historie, si shpesh në këto kohë, vjen “qarkullimi”. Nuk dua t’u hyj arsyeve, s’e bëra as në fillim të shkrimit, por më duhet të ndalem tek sfidat me të cilat do të duhet të përballet pasardhësi i Adnan Kosovës. E kemi kapërcyer tashmë fazën e emergjencës dhe pasardhësi i prokurorit që po largohet për të dhënë kontribute të papërcaktuara në zyrën e prokurorit të përgjithshëm, nuk duhet të lejojë që standardet të zbresin: pra nëse tani nuk kemi më banda nëpër rrugë e ato janë të shkërmoqura, për pasardhësin është momenti që të udhëheqë gjuetinë ndaj mbetjeve, të shkojë deri tek arsyet që prodhonin e ushqenin bandat e këtyre viteve. Është një sfidë e fortë, e nëse nuk do të kemi shumë shpejt një respektim, pse jo edhe përmirësim të standardeve, na lind e drejta të theksojmë se u veprua shpejt e shpejt e gabim me “qarkullimin” e prokuror Adnan Kosovës.
Nga Fahri Balliu