Dekretet për mbetjet dhe Sali Shehun, mazhoranca rrëzon dy dekretet e Topit
Kandidatura e Sali Shehut ka marrë 75 vota kundër, 52 abstenime, kryesisht të opozitës, dhe 1 votë kundër, e cila ka qenë sërish e deputetit Gazmend Oketa.
Kuvendi ka hedhur poshtë dy dekretet e Presidentit të Republikës, me anë të të cilëve kërkohej: rishikimi i ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, si dhe emërimi i Sali Shehut si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky ka qenë në fakt verdikti i mazhorancës së djathtë, pasi opozita në rastin e parë shprehu votën pro dekretit, pra kundër ligjit, dhe në rastin e dytë në shumicën e saj dërrmuese abstenoi. Ajo që ra në sy gjatë këtyre dy votimeve ishte vota pro për të dyja dekretet e deputetit demokrat, zëvendëskryeministrit Gazmend Oketa, i cili në këtë mënyrë doli kundër qëndrimit të shprehur të grupit të tij parlamentar.
Ligji për mbetjet
Pas një maratone të gjatë diskutimesh që kanë zgjatur thuajse 8 orë, ku nuk kanë munguar argumentet pro dhe kundër nevojës për importimin e mbetjeve për qëllim riciklimi për lëndë të parë që trajton ligji i kthyer për rishqyrtim nga dekreti i presidentit, Kuvendi ka vijuar seancën me procesin e votimit. Fillimisht ka nisur me votimin e projektligjeve që ishin në rend të ditës, për të cilat opozita ka votuar pro. Më pas deputetët janë ftuar të votojnë për dekretin e kreut të shtetit për kthimin e ligjit të mbetjeve. Në këtë moment deputetët e opozitës kanë nisur një lojë me kartat e prezencës, me anë të të cilave dhe votohet në sistemin elektronik. Ndërsa sekretaret e seancës me urdhër të kryeparlamentares Topalli janë përpjekur që të heqin kartat e deputetëve joprezentë nga aparaturat e votimit, deputetët socialistë kanë nisur të fshehin kartat dhe rivendosjen e tyre herë pas here. Kjo ka zgjatur për disa momente nisjen e votimit të dekretit, derisa deputetët e majtë kanë hequr dorë nga kjo lojë. Më pas ka vijuar votimi i hapur me elektronikë i dekretit për kthimin e ligjit, i cili në total ka marrë 73 vota kundër dhe 59 pro. Pra, mazhoranca ka votuar kundër dekretit dhe pro ligjit, ndërkohë që ka pasur një votë rrjedhje. Bëhet fjalë për votën e deputetit Gazmend Oketa, i cili votoi kundër qëndrimit të mbajtur nga kolegët e tij të djathtë dhe pro dekretit të Topit, ashtu si edhe të gjithë deputetët e opozitës.
Dekreti për Shehun
Gjatë seancës së djeshme, Kuvendi ka votuar edhe për dekretin tjetër të kreut të shtetit, atë me anë të cilit, ai emëronte Sali Shehun si kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Edhe për këtë rast, nëpërmjet një votimi të hapur mazhoranca ka votuar sërish kundër dekretit apo emërimit të presidentit, ku kandidatura e Sali Shehut ka marrë 75 vota kundër, 52 abstenime, kryesisht të opozitës, dhe 1 votë kundër, e cila ka qenë sërish e deputetit Gazmend Oketa. Ndërkohë që katër deputetë nuk kanë marrë pjesë në votim. Siç vihet re nga numrat, Shehu ka marrë disa vota kundër edhe nga opozita, ndërsa nuk ka munguar edhe ndonjë votë abstenim nga kampi i djathtë.
Votimi për dekretin për kthimin e ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”
73 vota kundër
59 vota pro
Votimi për dekretin për emërimin e Sali Shehut si kryetar i KLSH-së
75 vota kundër
1 votë pro
52 vota abstenim
4 deputetë nuk morën pjesë në votim
Votimi për emërimin e Ardian Fullanit në Këshillin e Bankës së Shqipërisë
77 vota pro
54 vota kundër
4 vota abstenim
Votimi për emërimin e Petraq Milos në Këshillin e Bankës së Shqipërisë
75 vota pro
55 vota kundër
2 vota abstenim
Votimi për emërimin e Elisabeta Gjoni në Këshillin e Bankës së Shqipërisë
78 vota pro
53 vota kundër
1 votë abstenim
Votimi për emërimin e Dhori Kules në Këshillin e Bankës së Shqipërisë
124 vota pro
5 vota kundër
3 vota abstenim
Votimi për emërimin e Ela Golemit në Këshillin e Bankës së Shqipërisë
123 vota pro
6 vota kundër
2 vota abstenim
Votimi për emërimin e Ermelinda Meksit në Këshillin e Bankës së Shqipërisë
123 vota pro
7 vota abstenim
2 vota abstenim